Seanca e Supremes për rastin “Monstra” u shty për më 17 maj – Ajdari: Kërkojmë drejtësi! (Video)

Shpërndaje

Seanca e caktuar për sot në Gjykatë Supreme për rastin “Monstra” është shtyrë për më 17 maj 2023. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën LAJM, njëri nga familjarët e të dënuarve në këtë rast, Bedri Ajdari. Ai tha se të akuzuarit janë të pafajshëm dhe nëse gjykohet drejtë, ata duhet të lirohen.

“Nuk i dimë arsyet e anulimit, nëse ato janë të karakterit teknik apo taktik, por sidoqoftë duhet të jenë të qëndrueshme arsyet përse është anuluar, ata që e kanë anuluar duhet ta arsyetojnë këtë. Ngelet të shihet pas një jave kur të mbahet seanca e cila ishte paraparë për sot. Seanca do të mbahet më 17 maj 2023, nga ora 11”, tha mes tjerash Ajdari për gazetën LAJM.

Rasti ka arritur në Supreme pas ankesave të palës mbrojtëse ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila më parë konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale për rastin “Monstra”.

Rigjykimi për rastin “Monstra” që i referohet vrasjes së pesëfisht në liqenin e Smillkovës në vitin 2012 erdhi pasi ish Prokuroria Speciale Publike mori përfaqësimin e akuzës për terrorizëm.