Çështja e dinarit: Bislimi thotë se Serbia kërkoi që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e asociacionit
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas rundit të ri të dialogut, se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.
Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviq në Bruksel, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.
“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.
Bislimi tha se sa i përket idesë së krijimit të një entiteti të ri biznesor në veri, në mënyrë që ndihma financiare të shkojë te përfituesit, përmes konvertimit të Postës serbe, Serbia ka parë këtë ide si “një lloj privatizim të postës” nga Kosova.
“Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, tha Bislimi pas takimit trepalësh. Takimi mes Bislimit dhe Petkoviq, ishte i pesti që zhvillojnë në Bruksel për çështjen e dinarit, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.
Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh me ta. Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.
Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re. Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik. /REL