MaqedoniTop Lajme

Doktori që u bë diplomat, Ali Ahmeti e do President të Maqedonisë së Veriut!

Shpërndaje

“Presidenti Europian” – Bujar Osmani mban titullin specialist kirurg në Kirurgji Digestive dhe njëkohësisht ushtron dhe detyrën shtetërore si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut. Dita e tij nis me operacionet në spital, bashkë me stafin, dhe më pas vazhdon në postin shtetëror, shkruan PRESSonline.al

Vite më parë, ai ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar në Shkup, si Ministër i Shëndetësisë, por e la detyrën dhe ju kthyer profesionit të vet të doktorit duke punuar në Spitalin e Shkupit, ndërkohë që mbante detyrën e zëdhënësit të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, e drejtuar nga Ali Ahmeti.

Në vitin 2020, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti vendosi që diplomacinë e Maqedonisë së Veriut ta drejtonte Bujar Osmani. Ai e pranoi detyrën duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij politike dhe vetë partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI-së, sepse për herë të parë Ministria e Jashtme e vendit do të drejtohej nga një shqiptar.

Ai cilësohet si një ndër krerët e diplomacisë më të përgatitur në Ballkanin Perëndimor dhe vetë kryeministri Edi Rama nuk është kursyer gjatë daljeve publike për të, kur është shprehur se do të ishte shumë i lumtur nëse Shqipëria do të kishte një kryediplomat si Bujar Osmani. Me vonë, ai mori dhe postin e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke pasur rol kyç në Marrëveshjen e Prespës, shkruan PRESSonline.al

Gjatë drejtimit të Ministrisë së Jashtme nga Bujar Osmani, Maqedonia e Veriut ka kapërcyer shumë barriera që e pengonin në rrugën e integrimit, falë diplomacisë së Bujar Osmanit. Vite më parë, ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias vlerësoi publikisht Ali Ahmetin dhe zëvendëskryeministrin e kohës, Bujar Osmani, për arritjen e marrëveshjes së Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit.

Veç të tjerash, ai e ka dëshmuar veten në skenën vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, duke dëshmuar unitet mes shqiptarëve, maqedonasve dhe minoriteteve të tjera në Shkup, ka qenë pjesë e ekipit për ndryshimin e Kushtetutës vite më parë, anëtarësimit në NATO dhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Me Bujar Osmanin President, BDI synon t’i dalë Zot sfidave, siç thotë Ali Ahmeti, njësoj si disa muaj më parë kur Talat Xhaferi shkroi historinë duke u zgjedhur kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Kush është Bujar Osmani?

Bujar Osmani u lind më 11 shtator 1979 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2004. Një pjesë të specializimit e kreu në Londër të Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 2006-2007, ndërsa në vitin 2012 fitoi titullin kirurg specialist. Prej vitit 2014 është doktorant në Shkollën e Studimeve të Doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku doktoroi në korrik 2018.
Përvojën e punës e ka filluar në vitin 2004 si doktor i mjekësisë në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum Ohridski” në Shkup. Në vitin 2008 u emërua ministër i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë dhe atë pozitë e mbajti deri në vitin 2011. Nga viti 2011 është kirurg specialist në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive në Shkup. Në vitin 2011, ai u emërua edhe Sekretar i Komunikimit Publik në kryesinë e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Që nga qershori i vitit 2017, ai është emëruar zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështjet evropiane. Gjatë këtij mandati, Republika e Maqedonisë së Veriut bëri përparim serioz në integrimet evropiane: në procesin e Stabilizim Asociimit, vendi kaloi në fazën e dytë; Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e nismës Adriatiko-Joniane dhe përfitimi kryesor është vendimi për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Si udhëheqës i Sekretariatit për Çështje Evropiane, Osmani ka shërbyer edhe si Koordinator Nacional për shpërndarjen e ndihmës së huaj dhe fondeve IPA në vend. Nën udhëheqjen e Osmanit është përmirësuar dukshëm përthithja e fondeve IPA nga Bashkimi Evropian, si dhe është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi në kuadër të ndihmës dypalëshe.

Prej korrikut 2018, ai është emëruar në krye të Delegacionit Shtetëror dhe si Kryenegociator me Bashkimin Evropian, nën drejtimin e të cilit nisi, u krye dhe përfundoi me sukses procesi i skriningut sqarues me Bashkimin Evropian.

Osmani është anëtar i përhershëm i Shtabit të Krizave të Qeverisë për ballafaqim me COVID-19, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2020 është emëruar kryekoordinator i shtabit lokal të krizave dhe i shtabit të krizave të qytetit të Shkupit.

Më 30 gusht 2020, Bujar Osmani u zgjodh Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bujar Osmani është i martuar, baba i dy fëmijëve. Flet shqip (gjuhë amtare), maqedonisht, anglisht dhe pjesërisht frëngjisht.