RajoniTop Lajme

Kurti e Konjufca nderojnë të rënët në Sllovi të Lipjanit

Shpërndaje

Në përkujtim dhe nderim të të vrarëve dhe masakruarve shqiptarë në masakrën e Sllovisë së Lipjanit, të kryer nga forcat pushtuese serbe, sot në 25-vjetorin e saj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në këtë fshat.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati, Konjufca theksoi se masakrat e kryera gjithandej Kosovës janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës, për të cilat Kosova nuk do të pushojë asnjëherë së kërkuari drejtësi.

Kreu i Kuvendit tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes, por edhe të krenarisë, për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.

Më 15 dhe 16 prill të vitit 1999 policë, ushtarë e paramilitarë serbë në kuadër të operacioneve gjenocidale kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë, vranë dhe masakruan në Sllovi të Lipjanit 45 civilë të pafajashëm shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë.

Kryeministri Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Sllovi të Lipjanit

Në 25-vjetorin e masakrës në fshatin Sllovi, në Komunën e Lipjanit, ku forcat e armatosura të Serbisë vranë 45 civilë shqiptarë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te lapidari i ngritur në kujtim të tyre.

Në nderim të 45 të vrarëve të masakrës në Sllovi, Kryeministri Kurti vendosi lule të freskëta mbi varret e të vrarëve. Ai tha se gjenocidi i kryer nga forcat serbe, nuk ka arritur që ta shfarosë popullin shqiptar. Duke theksuar se pikëllimi dhe dhimbja kanë mbetur ende, ai tha se ata që kanë qenë agresorë kanë dështuar në planin e tyre.

Gjatë bashkëbisedimit me të mbijetuarit e masakrës dhe banorët e fshatit, ata treguan se ishin dëshmitarë të rasteve të rënda të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës, vrasjet mizore me sëpatë, djegiet e trupave të pajetë dhe përpjekjet për zhdukjen e tyre në varreza masive.

Në këto homazhe, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.