Rajoni

Nesër takimi Bislimi-Petkoviq për dinarin: VV-ja akuzon qeveritë e kaluara

Shpërndaje

Dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë dakorduar që të takohen sërish këtë të enjte për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit. Pavarësisht se takimi i tyre i fundit la për të dëshiruar, Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shprehet optimist se pas dy dite pritet të ketë një marrëveshje mes palëve për këtë çështje.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje zemëroi Serbinë dhe nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar se çështja e dinarit veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Për këtë, ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka ripërsëritur qëndrimin se janë luhatur raportet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës pas vendimit të Bankës Qendrore për dinarin serb. Ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja nuk mund ta konsiderojë partnere Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, nëse kjo e fundit nuk iu përgjigjet shqetësimeve amerikane.