Osmani dhe Vuçiq në New York, nesër pasdite përballen në Këshillin e Sigurimit në OKB
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit, në seancën, e cila do të mbahet të hënën. Atje ka mbërritur edhe presidenti serb, Aleaksandar Vuçiq.
Osmani dhe Vuçiq do të ballafaqohen në seancën e së hënës pasdite, ndërsa Presidenca ka njoftuar se shefja e shtetit të Kosovës “pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën”. Ajo, thuhet se do të flasë edhe “për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”.
Presidenca ka njoftuar se “përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara”.
Mediat serbe raportojnë se Vuçiq atje do të zhvillojë një sërë konsultimesh me përfaqësuesit e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, “për të shpjeguar qëndrimin e Serbisë në lidhje me rezolutën e shpallur për gjenocidin në Srebrenicë”.
OKB-ja do ta shqyrtojë raportin e rregullt gjashtëmuor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.
Në një raport të publikuar në web-faqen e OKB-së, i cili duhet të shqyrtohet nesër në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Guterres përmendi se pavarësisht disa përparimeve në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së, tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë rritur dhe se situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.