MaqedoniTop Lajme

Osmani nis fushatën për Presidentin e parë Europian të vendit (Foto)

Shpërndaje

“Po e nis misionin nga selia e NATO-s, me shpresë ta përfundoj nga selia e BE-së”

Kryediplomati dhe njëherësh kandidati shqiptar për President nga Fronti Europian, Bujar Osmani e nisi fushatën për të parin e vendit me një press-konferencë mbajtur para vilës presidenciale në Vodno, nën shoqërimin e të rinjve të koalicionit e nën simbolikën e një autobusi të brenduar. Osmani tha se dita e sotme shënon fillimin e një rrugëtimi shumë të rëndësishëm, e një referendumi popullor, për të ardhmen e vendit tonë.

“Duke qenë se me mbështetjen tuaj kam pasur privilegjin dhe më është dhënë mundësia që të shërbejë në proceset më të rëndësishme integruese në vend, vlerësoj se kam përvojën, kam njohuritë, kam kredibilitetin dhe kontaktet në qendrat e vendimmarrjes, por edhe kam përkushtimin që të rrumbullakësoj ëndrrën e çdo familjeje, ëndrrën e çdo qytetari të vendit tonë për një të ardhme të ndritur në Bashkimin Europian” theksoi Osmani duke sqaruar se vendi është në udhëkryq, ku një rrugë çon drejt të ardhmes së ndritur, të begatë, europiane kurse rruga tjetër, çon drejt izolimit, paqartësisë dhe paperspektivës dhe se pikërisht për këtë arsye këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të rëndomta.

Osmani ftoi të gjithë t’i bashkëngjiten në siç tha karvanin e fitores, sepse sipas tij, koha është për Presidentin e parë Europian.

“Po vij këtu në këtë press konferencë drejtpërdrejtë nga Brukseli dhe më rastisi që këtë mision të madh ta nisi pikërisht nga selia e NATOs në Bruksel, edhe atë në një ditë të veçantë. Sot është dita e katërt, e muajit të katërt, të vitit 2024, dita e themelimit të NATO-s dhe 4 vjetori i anëtarësimit të vendit tonë në organizatën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë. Dhe fakti që e filloj këtë mision nën dritën e numrit 4 për mua është edhe simbolikë se jemi në rrugën e duhur. Këtë mision e fillova nga selia e NATO-s, por shpresoj se do ta përfundoj si President në selinë e Bashkimit Europian, i ulur në tavolinën e Këshillit Europian si anëtar fuqiplotë”-tha mes tjerash Osmani.

Osmani paralajmëroi se nga sot nën slloganin e Presidentit Europian dhe me programin zgjedhor i quajtur “Dekalogu i Presidentit Europian”, nën numrin 4, do të ecë në katër anët e vendit për t’i dëgjuar nevojat e qytetarëve, pritjet e tyre, por edhe për t’i shpalosur planet për një të ardhme më të ndritur në Bashkimin Europian.

“Prapa meje qëndron blloku më i madh multi-etnik, koalicioni i nëntë partive politike të mbledhura nën Frontin Europian, një platformë e re e dalë nga Marrëveshja e Ohrit, që ka për qëllim që të ruajë kursin euro-atlantik të këtij vendi, që të ruajë harmoninë dhe bashkëjetesën në vendin tonë të përbashkët, të ruajë marrëdhëniet ndër-fqinjësore, por natyrisht edhe të rrumbullakësojë gjatë mandatit të ardhshëm, deri në vitin 2030 integrimin e vendit në Bashkimin Europian, që do të mundësojë jetë më të mirë, jetë më të begatë, jetë më europiane për të gjithë ne” konkludoi kandidati për President.