Propozimi i VMRO-DPMNE/ Taravari: Po fokusohemi për zgjedhjet më 8 maj
Kandidati për president i VLEN në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari përmes një postimi në rrjetet sociale ka komentuar edhe propozimin e kreut të VMRO-DPMNE , Hristijan Mickoski për të qenë pjesë e Qeverisë së re.
Ai thotë se fillimisht janë fokusuar për zgjedhjet e 8 majit.
Propozimi i ardhur nga Mickoski tregon se edhe VMRO e ka kuptuar ku qëndron pesha e votës dhe deputetëve shqiptarë. Megjithatë, fokusi ynë si koalicion dhe si parti, është puna për zgjedhjet e 8 majit, për numrin më të madh të mandateve.
Pas zgjedhjeve, do të udhëhiqemi nga interesi kombëtar i shqiptarëve, nga nevoja urgjente për pastrim të qeverisë nga korrupsioni, dhe nga orientimi ynë i panegociueshëm pro-perëndimor.
Ne si VLEN jemi më të bashkuar se kurrë. Vota jonë është shumica e votës shqiptare. Mandatet tona shkojnë për deputetë shqiptarë. Sepse ne i mbrojmë e i përparojmë shqiptarët, nuk i shesim e nuk i blejmë!