Protestat pro Palestinës në SHBA: Universiteti i Kalifornisë Jugore anulon ceremoninë e diplomimit
Ndërsa protestat ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza po vazhdojnë duke u përhapur në kampuset universitare në gjithë SHBA-në, ceremonia kryesore e diplomimit në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC) në Los Anxhelos është anuluar, transmeton Anadolu.
Sipas “Los Angeles Times”, USC publikoi një deklaratë në lidhje me ceremoninë e diplomimit, pasi 93 studentë nga ky universitet u arrestuan për shkak të protestave të “mbështetjes për Gazën” që u përhapën në gjithë vendin.
Në deklaratë thuhet se ceremonia kryesore e diplomimit në maj nuk do të mbahet në USC, ndërsa fjalimi i diplomimit “2024 Valedictorian” i studentes muslimane Asna Tabassum është anuluar për arsye “sigurie” si rezultat i fushatës së nisur nga grupet antimuslimane.
Universiteti tha se ceremonia, ku mund të merrnin pjesë rreth 65 mijë persona, është anuluar për shkak të “masave të reja të sigurisë”, duke shtuar se programet e tjera të diplomimit do të vazhdojnë.
Policia arrestoi 93 studentë që protestonin kundër Izraelit në Universitetin e Kalifornisë Jugore, të cilët morën pjesë në demonstratat në mbështetje të Palestinës që nisën në Universitetin Columbia në SHBA dhe u përhapën në universitete në shtete të ndryshme.
– Vazhdojnë protestat nëpër universitete
Sipas CNN-it, ndërsa protestat kundër sulmeve të Izraelit në Gaza po vazhdojnë, rreth 30 persona, përfshirë 2 profesorë, janë arrestuar në Universitetin Emory në Xhorxhia.
Në rrjetet sociale është shpërndarë video e momenteve kur arrestohen profesoresha e ekonomisë Caroline Fohlin dhe shefja e Departamentit të Filozofisë, profesoresha Noelle McAfee.
Sipas CBS News, policia ka arrestuar më shumë se 108 studentë gjatë demonstratave në mbështetje të palestinezëve në Kolegjin Emerson në Boston, Masaçusets.