Gjatë javës pritet të arrihet koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë negociatat për krijimin e Qeverisë së re. VMRO-DPMNE e Hristian Mickovskit, koalicioni ‘Vlen’ dhe Lëvizja ‘ZNAM’ pritet që gjatë javës në vijim të arrijnë marrëveshje përfundimtare për koalicionin qeverisës.
Shqiptarët në qeverinë e re pritet të udhëheqin gjashtë ministri, postin e zëvendëskryeministrit dhe disa zëvendësministra e sekretarë shtetërorë.
Ende nuk janë bërë publik zyrtarisht emrat e ministrave të rinj.
Jozyrtarisht mësohet se partitë shqiptare do të drejtojnë Ministrinë e Ekonomisë, atë të Mjedisit Jetësor, të Shëndetësisë, Sistemit politik, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa do ta kenë edhe një ministër pa resor.
Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për ditën e martë, kurse qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor.