BotaTop Lajme

Juria e shpall fajtor, Donald Trump ish Presidenti i parë që dënohet për vepra penale

Shpërndaje

Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale të enjten pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila tha se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin, në këmbim të heshtjes së saj.

Juria, e cila u tërhoq për afro 10 orë për të dalë me vendim, e shpalli zotin Trump fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij. Ndërsa lexohej vendimi, ai u duk i ftohtë dhe mbante sytë ulur.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur zoti Trump pritet të jetë kandidati i pritshëm republikan përballë presidentit demokrat Joe Biden, për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Trump, 77 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe pritet ta apelojë vendimin.

Masa e dënimit për ish-Presidentin do të jepet në 11 korrik.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit është një vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg deri në 4 vjet, edhe pse prokurorët nuk janë shprehur nëse do të kërkojnë dënim me burg dhe është e paqartë nëse gjykatësi do të caktonte një masë të tillë edhe nëse i kërkohej. Dënimi, apo edhe burgimi, nuk e pengon zotin Trump të vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorët thonë se zoti Trump falsifikoi të dhënat për të fshehur rimbursimet për ish-avokatin e tij Michael Cohen, i cili i pati paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump të një dekade më parë.

Ish-presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar pafajësinë, ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels dhe thotë se pagesat për zotin Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore./REL