SHBA i dhuron 7 dronë policisë së Kosovës për të luftuar veprimtarinë kriminale

Shpërndaje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan policisë së Kosovës të mërkurën shtatë dronë, përdorimi i të cilëve synon rritjen e shkallës së sigurisë publike në vend.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha gjatë një ceremonie se shpejtësia me të cilën mund të dërgohen dronët kudo që është e nevojshme, i bënë ato pajisje të dobishme për të shpëtuar jetë. Dronët iu dhuruan policisë së Kosovës rreth tri javë pas sulmit nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer policie. Tre sulmues u vranë po ashtu gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon. “Duke marrë parasysh shkallën e veprimtarive kriminale të grupeve të krimit të organizuar në rajon, këto sisteme të fluturakeve pa pilot do të jenë një burim thelbësor i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtaritë kriminale në tokë dhe ajër”, tha ambasadori Hovenier.

Drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se dronët janë përzgjedhur nga ekspertët e policisë së Kosovës në bashkëpunim me ekspertët e qeverisë amerikane.
Ai tha se dhurimet e sotme “do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të policisë për të menaxhuar situata në terren si në menaxhimin e ngjarjeve të mëdha sikur protestat, koncertet, manifestimet publike e gjithashtu edhe në monitorimin e kufijve të Kosovës dhe në operacione të tjera të hetimit që policia e Kosovës do t’i kryejë në të ardhmen”. Ambasadori amerikan Hovenier theksoi se donacioni i sotëm pasqyron përkushtimin amerikan për zhvillimin e policisë së Kosovës.

“Si dhe është manifestim shtesë i besimit që ne e kemi në Republikën e Kosovës për të kryer misione të pavarura në luftë kundër narkotikëve dhe për zbatimin e ligjit”, tha ambasadori amerikan, duke nënvizuar se në pesë vjetët e fundit Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar më shumë se 20 milionë dollarë ndihmë për modernizimin dhe përmirësimin e institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Hovenier: Dronët që SHBA ia dha Policisë dhe IPK-së do të ndihmojnë në luftimin e krimit të organizuar

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se dronët që SHBA i dhuroi Policisë dhe IPK’së do t’i përmirësojnë aftësitë për të luftuar krimin e organizuar.

Hovenier tutje ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur prej kohësh Policinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur prej kohësh Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës përmes trajnimeve dhe pajisjeve për të ndihmuar që ata të përmbushin në mënyrë efektive përgjegjësitë e tyre për zbatimin e ligjit në Kosovë. Sot dhuruam fluturake pa pilot që do të përmirësojnë aftësitë e tyre për të luftuar krimin e organizuar dhe për të përmirësuar sigurinë publike për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hovenier në platformën X./2

Njoftimi nga Policia e Kosoves:
Policia e Kosovës pranon donacion (6) drona nga Ambasada Amerikane si dhe IPK-ja pranon (1) dron

Prishtinë, më 11 tetor 2023
Me datën 11 tetor 2023, përmes konferencës zyrtare nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z. Jeffrey Hovenier dhe kryeshefi i IPK-së z. Kushtrim Hodaj, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me drona për Policinë e Kosovës dhe IPK-në, projekt/donacion i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Për rolin dhe qëllimin e projektit foli drejtori Hoxha, i cili ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj Ambasadës Amerikane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale dhe logjistike. Realizimi i këtij projekti do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime.

Ndërsa kryeshefi i IPK-së theksoi pëkushtimin e IPK-së dhe bashkëpunimin me menaxhmentin e lartë të Policisë dhe partnerëve amerikanë për të mbajtur lart standardet profesionale dhe integritetin e zyrtarëve policorë. Donacioni do të shërbejë për të forcuar kapacitetet tona profesionale, në mënyrë që qyetarëve t’ju ofrohet siguri në mënyrë efikase, të përgjegjegjshme e demokratike.

Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.

Në vijim gjeni linkun e videos https://www.youtube.com/watch?v=tqEBW4JLT9c&ab_channel=KosovoPolice