Mexhiti: Nuk hyjmë me çdo kusht në qeveri! Mickoski: S’dua negociata në bazë të ultimatumeve, është gabim!

Shpërndaje

Përbërja e re qeveritare me shumë gjasa do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN. Së paku kështu e kanë konfirmuar vet përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve dhe koalicioneve politike. Megjithatë, duket se negociatat për formim të Qeverisë nuk do të jenë dhe aq të lehta për shkak se njëra palë ka kushte e tjetra nuk dëshiron negociatat t’i udhëheqë në bazë të ultimatumeve. Izet Mexhiti në një intervistë për RTSH, tha se VLEN nuk hyn me çdo kusht në Qeveri por se pjesëmarrja e tyre do të ndihmonte për një Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse.

“Pra në kampin maqedonas ka fituar VMRO-DPMNE. Qeveri pa shqiptarët nuk bëhet edhe pse i ka 58 deputetë. Ne me çdo kusht nuk pretendojmë të jemi pjesë e Qeverisë por ne mendojmë se nëse duam të kemi një Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse, atëherë patjetër duhet të jetë edhe opsioni shqiptar VLEN, d.m.th. në Qeverinë e ardhshme”, tha Izet Mexhiti – VLEN.

Nga ana tjetër kreu i VMRO-DPMNE-së, në një intervistë në Kanal 5, theksoi se nuk dëshiron që të vijë në situatë ku duhet të diskutojnë në bazë të ultimatumeve. Siç i respekton 107 mijë votat e VLEN-it, kërkon që edhe VLEN t’i respektojë 437 mijë votat e koalicionit të VMRO-së.

“Nuk do të doja të vijmë në një situatë ku duhet të bisedojmë në bazë të ultimatumeve. Kjo nuk është mirë! Është gabim! Në partneritet duhet të ketë dialog. Dialog konstruktiv dhe e njëjtat të bazohet në argumente. Askush nuk është kundër të ardhmes europiane, përkundrazi. Unë jam i pari që dua ta shoh Maqedoninë në Bashkimin Europian. Por nuk mund ta pranoj argumentin se kjo është ajo në tavolinë, ose mere ose lëre. Jo! Ky është ultimatum dhe nuk ka të bëjë fare me vlerat europiane”, pohoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por çfarë do të bëjë Fronti Europian? Pyetëm Talat Xhaferin nëse presin që Fronti të jetë pjesë e përbërjes qeveritare për edhe një mandat tjetër. Xhaferi shprehet se këto çështje janë pjesë e kalkulimeve nga bisedimet ndërpartiake, ndërsa ai është fokusuar në punën që i takon si kryeministër teknik.

Teen Drama: What Happens When The Cameras Stop Rolling?
ZESTRADAR

“Çështja e mandatit të ardhshëm është çështje e procedurave dhe procesit të kalkulimeve dhe bisedimeve ndërpartiake të subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend. Unë jam i fokusuar në detyrat dhe obligimet që i ka Qeveria për faktin që përbërja e kësaj Qeverie funksionon deri në zgjedhjen e Qeverisë së ardhshme”, theksoi Talat Xhaferi, Fronti Europian.

Përndryshe në media vetëm se kanë filluar spekulimet mbi atë se çfarë do t’i takojë VLEN-it në Qeverinë e ardhshme. Siç thuhet, VLEN do të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, 4 ministri dhe rreth 300 drejtori. Sipas mandateve të fituara nga dy taborët, shumica parlamentare mes VLEN dhe VMRO do të përbënte 71 deputetë.