Mostrat biologjike të sulmuesve të Banjskës dërgohen për ekzaminim në Finlandë
Mostrat biologjike, të cilat terroristët e Banjskës lanë në gjësendet që u gjetën në vendin e ngjarjes, janë dërguar për ekzaminim në Finlandë, meqë në Kosovë laboratori është jashtë funksionit. Por, kritikat e njohësve të drejtësisë shkojnë në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrit Kurti, që nuk po funksionalizohen laboratorët, por vazhdimisht po kritikon Prokurorinë.
Në Finlandë janë dërguar mostrat biologjike të gjetura në vendin ku qëndruan sulmuesit që ishin pjesë e grupit terrorist që organizuan sulmin në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje për Dukagjinin, ka konfirmuar këtë, duke thënë se presin rezultate në afat optimal, meqë në Kosovë laboratori i toksikologjisë është jashtë funksionit.
“Laboratori i toksikologjisë është jashtë funksioni për shkak të kushteve fizike të krijuara pas incidentit me zjarrin në fund të vitit 2023. Funksionalizimi i laboratorit është i ndërlidhur me renovimin e objektit të IML-së dhe sapo të fillojë renovimi pjesa e laboratorit do të ketë prioritet gjatë intervenimit. Mostrat biologjike të rastit Banjska janë dërguar jashtë vendit (Finlandë) në koordinim me MD-në dhe PSRK-në dhe jemi në pritje të rezultateve brenda një afati optimal”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Dërgimi i mostrave atje shkaku se nuk mund të bëhet në Kosovë po mban peng edhe ngritjen e aktakuzës. Pavarësisht që kjo ministri ka ndërmjetësuar për dërgimin e këtyre mostrave jashtë shtetit, ministrja Haxhiu siç duket nuk ka informuar shefin e saj për këtë. Meqë kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka drejtuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale, për mos ngritje të aktakuzës për këtë rast.
“Sot po hymë në javën e 30-të prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku…”, kishte deklaruar Kurti.