Xhaferi nga Konferenca për shtyp 100 ditë Qeveri: Zbatuam zgjedhje evropiane, para Qeverisë së re është rrugë e pastër drejt vijës strategjike euroatlantike
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mbajti konferencë për shtyp në të cilën foli për punën në 100 ditët e kaluara, nga zgjedhja e tij për Kryeministër dhe formimi i Qeverisë, me obligim parësor ti organizojë dhe zbatojë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në shtet.
Në vazhdim është teksti integral i Kryeministrit Xhaferi në konferencën për shtyp:
„U obligova para qytetarëve se do të mundësojmë shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare. Dhe këtë obligim prioritar, që është besuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, edhe unë si Kryeministër, edhe Qeveria, e kemi përmbushur në përpikëri.
Zbatuam zgjedhje evropiane, në procese zgjedhore të lira, të qeta, korrekte dhe demokratike në të dy ciklet zgjedhore. Zgjedhje që do të përmenden për atë se si mundet dhe si duhet të punojë në interes të qytetarëve edhe shteti. Me këtë, me të drejtë mund të vlerësoj se kontribuuam në sjelljen evropiane të vendit, i cili synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Konfirmim për fjalët e mia janë edhe urimet dhe shprehjet e respektit nga partnerët tanë evropianë.
Nëse kapacitetet evropiane dhe demokratike të një qeverie mund të vlerësohen nga diçka – atëherë kjo janë zgjedhjet. Dhe me këtë rast, shpreh mirënjohjen time si për institucionet ashtu edhe për qytetarët, sepse ata ishin në krye të detyrës dhe kontribuuan ndaj angazhimeve tona të sinqerta – që shteti të përparojë sipas vlerave evropiane.
Pikërisht kështu, në vepër funksionon ideja e madhe evropiane. Pres që këtë drejtim ta ndjek edhe përbërja e ardhshme qeveritare, sepse e ardhmja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, paqja, qetësia dhe perspektiva e qytetarëve janë të lidhura drejtpërdrejt me progresin në integrimet evropiane dhe realizimin e anëtarësimit të plotfuqishëm, në një proces dinamik, deri në vitin 2030. Shansi është para shtetit dhe para Qeverisë së re, si edhe përgjegjësia!
Tani duhet dhe doemos të vazhdohet drejt rrugës evropiane, duke e shndërruar vullnetin e qytetarëve në pushtetin e ri ekzekutiv. Qytetarët presin realizimin e premtimeve, por edhe një shoqëri të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të avancuar, në të cilën do të ndihen të sigurt dhe në hap me botën e zhvilluar demokratike.
Të nderuar,
Sot, kur shënojmë 100 ditë nga themelimi i Qeverisë që e drejtoj, me fytyrë të pastër, ndërgjegje të qetë dhe me plotë respekt ndaj të gjithë qytetarëve, mund të vlerësoj se atë që e paralajmërova kur e mora detyrën, se do të punoj në interes të të gjithë qytetarëve dhe shtetit, e zbatova.
Konfirmova se emërimi im si Kryeministër, si Kryeministër i parë shqiptar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është një tjetër kontribut për demokracinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
– Vazhduam rrugën strategjike euroatlantike, e cila është në interesin më të lartë shtetëror. Mora pjesë në evenimente të rëndësishme ndërkombëtare, me qëllim të afirmimit të përcaktimeve strategjike euroatlantike. Zhvillova takime të shumta në evenimente të rëndësishme ndërkombëtare, me përfaqësues të lartë të Stejt Departamentit, të shteteve anëtare të BE-së, me kryeministrat nga Ballkani Perëndimor.
– I miratuam edhe të gjitha vendimet tjera të nevojshme me rëndësi për cilësinë e jetës së qytetarëve – në përputhje me kompetencat që na i mundësojnë Kushtetuta dhe ligjet. Para së gjithash, këtu mendoj për zgjidhjet që i gjetëm për problemet prioritare dhe në këtë drejtim, koordinimin efikas të zbatuar me dhe ndërmjet institucioneve. Duke ardhur nga dhoma ligjvënëse, pata rastin të fokusohem edhe në çështje që ishin iniciuar që moti, dhe për të cilat pata mundësinë të gjej zgjidhje në cilësinë e Kryeministrit.
Të nderuar qytetarë,
Për të gjitha aktivitetet e Qeverisë që e drejtoj, mund të lexoni hollësisht në publikimin linkun e të cilit do e merrni dhe i cili paraqet Raport për 100 ditët e para të Qeverisë që e drejtoja“.