MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Një nga masat e para do të jetë ulja e tatimit në fitim, do t’i kthejmë të rinjtë në vend

Shpërndaje

Kryetari i VMRO-DPMNE-së njëherit mandatarë për formimin e qeverisë Hristijan Mickoski, sot në Tetovë në promovimin e kompanisë gjermane KIEL, ka folur për hapat e parë që do t’i ndërmerr qeveria e re që do të udhëhiqet nga ai.

Mickoski tha se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë primar për ta, duke shtuar se do ta mbrojnë çdo investitor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Jam plotësisht i vetëdijshëm për sfidat që mbeten dhe reformat që duhet të ndërmerren. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit do të jenë prioriteti ynë dhe çdo investitor duhet të jetë 100% i sigurt se shteti garanton mbrojtjen nga presionet dhe përpjekjet imorale dhe korruptive. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, ashtu si askush nuk duhet të mendojë të heqë të ardhmen dhe gjërat që krijojnë të ardhmen. Qeveria e re do të jetë partner i biznesmenëve”, tha sot nga Tetova Hristijan Mickoski.

Ai tha se një nga masat e para në 100 ditët e para të qeverisë së re do të jetë ulja e tatimit të fitimit.

“Në këtë mënyrë do të ndihmohet biznesi dhe do të sigurohen më shumë para për ekonominë. Do të ketë shkurtim të procedurave administrative dhe largim të barrierave me të cilat ballafaqohet biznesi”, tha Mickoski.