Miratohet riorganizimi i ministrive në Maqedoni të Veriut
Me 88 vota për dhe 22 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka miratuar të shtunën Ligjin për Organizimin e Ministrive në Qeverinë e re.
Ligji parasheh që prej 16 ministrive sa janë aktualisht, të jenë 20 ministri.
Për ndryshimet e propozuara nga mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski, votuan edhe deputetët e opozitës shqiptare – Frontit Evropian – duke iu mundësuar partive të shumicës, VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN sigurimin e dy të tretave të votave.
Mbështetja e Ligjit nga opozita shqiptare u bë në këmbim të formimit të një komisioni ad hoc në Kuvend, për mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejtë të etniteteve në institucione.
Ndryshimet e miratuara kanë të bëjnë kryesisht me sektorët e ekonomisë dhe të administratës, por edhe të tjerë.
Nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë do të formohen dy ministri, njëra për Digjitalizim dhe tjetra për Administratë.
Nga Ministria e Ekonomisë do të formohet Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa sektori i energjetikës, që funksiononte në kuadër të Ekonomisë, do të bëhet Ministri për Energjetikë dhe Miniera.
BE-ja pret që Qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuar
Miratimi i ndryshimeve i hap rrugën formimit të Qeverisë së re mes VMRO DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM.
Bisedimet mes këtyre partive për ndarjen e ministrive tashmë kanë përfunduar.
Mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski ka thënë të premten se, përbërjen e re të Qeverisë do ta paraqesë për votim në Kuvend menjëherë pas votimit të Ligjit për Organizimin e Ministrive.
Qeveria votohet me 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut./REL