MaqedoniTop Lajme

Osmani e Papadopollu bisedojnë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka realizuar takim dypalësh me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Greqisë Aleksandra Papadopullu, e cila ka marrë pjesë në takimin ministror të vendeve anëtare në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Gjatë bisedës, sipas Osmanit, është diskutuar për obligimet e të dyja shteteve për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës.

“Mendoj se nuk është korrekt konstatimi se Greqia nuk ka plotësuar asgjë. Shtylla e obligimeve greke ndaj Marrëveshjes së Prespës është mbështetja për në NATO dhe ne BE. Republika e Maqedonisë së Veriut sot është anëtare e NATO-s pasi Greqia e plotësoi obligimin e saj nga Marrëveshja e Prespës. Sot Greqia është një ndër lobistët më të mëdhenj në Bruksel për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ai ishte thelbi i obligimit grek, protokollet janë çështje që kanë ngelur në Parlament”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Riaktualizimi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës është bërë, pasi presidentja Siljanovska Davkova refuzon përdorin e emrit të ri të shtetit, ndonëse dokumentet zyrtare i nënshkruan me Maqedonia e Veriut. Në ndërkohë, sytë janë të drejtuar kah mandatari Hristijan Mickoski, i cili pritet që javën e ardhshme ta formojë qeverinë. Ai ka deklaruar se do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, megjithatë, edhe Greqia duhet t’i plotësojë obligimet e saja.

“Nëse konkretisht mendoni në Marrëveshjen e Prespës, edhe ne si qeveri e ardhshme e respektojmë në detaje. Gjithçka që është pjesë e legjislacionit, Kushtetutë respektohet në detaje, pikë, presje dhe këtu nuk duhet që askush të ketë kurrfarë mëdyshje. Pasi që ju nuk mund të kërkoni prej qytetarëve që t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën dhe ju t’i shkelni. Por, njëkohësisht pres edhe nënshkruesi i dytë, e ai është fqinji ynë jugor t’i respektojë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski tha se VMRO-DPMNE-ja ka krijuar një dokument në lidhje me atë se sa është zbatuar Marrëveshja e Prespës nga të dyja palët. Për këtë, ministri Osmani tha se nuk ka pasur nevojë të përgatitet, por vetëm të kërkohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, pasi që ata mbajnë evidencë në bazë javore.