Sylvinho nga Rinasi tregon se a do të vazhdojë me Shqipërinë
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho ka lënë të nënkuptohet se mund të ketë rinovim të kontratës, në një intervistë për mediat pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit.
Rrugëtimin e Shqipërisë në Euro 2024, ai e konsideroi të mirë dhe një eksperiencë të pabesueshme, edhe pse të vështirë.
“Ishte një eksperiencë e mirë për të gjithë, ishte e vështirë për ne, por jemi krenarë për të gjithë futbollistët, federatën. Shumë njerëz që na mbështeten, ishte eksperiencë e pabesueshme një turne i jashtëzakonshëm. Ishte e vështirë për ne”, deklaroi fillimisht Sylvinho.
“E kam thënë, të gjithë lojtarët të gjithë, federata, kur vjen në ndeshjen sheh njerëz të të suportojnë ishte e jashtëzakonshme. E kupton kur je për herë të dytë në këtë turne. Nuk është e lehët. Të gjithë ata lojtarë”.
“Të hysh në fushë dhe të luash ndaj një Italie të fortë, Kroacie të fortë, Spanjë të fortë. Për gjithë vendin dhe lojtarët me këta të rinj, kanë fituar mjaft eksperiencë në këtë turne. Eksperiencë e bukur. Ishte pozitive”.
“Kemi marrë shumë. Kemi rrugë të gjatë, por duhet të jemi të ndershëm jemi krenar për të gjithë lojtarët. Kemi lojtarë të rinj. Përfaqësuan mjaft mirë vendin. Fituam eksperiencë. Jemi në rrugën e duhur”, ka shtuar më tej selektori i kuqezinjve.
A do të jeni më pjesë e Kombëtares?
“Unë jam pjesë e juaja. Jam i lumtur në një vit e ca kemi bërë punë të madhe. Punojmë bashkë. Federata e kupton. Faleminderit të gjithë lojtarëve. Mbështetja ishte e pabesueshme. Kishte më shumë shqiptarë se sa gjermanë në Gjermani”, potencoi më tej Sylvinho.
Shqipëria mbylli rrugëtimin në Euro 2024 pas ndeshjes ndaj Spanjës, ku u mund me rezultatin 1-0, por me një paraqitje dinjitoze, jo vetëm në takimin e fundit, por edhe me ndeshjet kundër Italisë dhe Kroacisë, me të cilat ishin pjesë e Grupit B ose thënë ndryshe pjesë e “Grupit të Ferrit”. /TCH/