MaqedoniTop Lajme

Tërhiqen tarifat më të shtrenjta të noterëve në RMV, qytetarët nuk do të paguajnë 10 herë më shumë

Shpërndaje

Tërheqjen e vendimit për rritjen e tarifave noteriale, njoftoi sot në një konferencë për media ministri i Drejtësisë Igor Filkov. Vendimi i marrë nga paraardhësi i tij, Krenar Lloga, duhej të hynte në fuqi më 1 shtator dhe me të, çmimet për shërbimet e noterëve do të rriteshin dhjetëfish.

“Kjo nuk do të ndodhë, ndaj do të tërheq ndryshimet për tarifën e re. Nuk funksionon kështu. Populli nuk duhet të paguajë diçka 10 herë më shumë, gjegjësisht nuk duhet të merren vendime pa një debat të gjerë, pa dëgjuar se çfarë mendojnë të gjithë të interesuarit për këtë”, tha Filkov.

Vendimi është marrë në shkurt dhe vetëm pas zgjedhjeve, pra më 6 qershor, Qeveria teknike ka dhënë miratimin, e më pas është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Sipas ministrit Filkov, askush nuk e ka informuar opinionin për vendimin dhe procesi i miratimit të tij ka qenë sekret.

“Duhet të ketë një analizë serioze të ndryshimit të çmimit mbi çdo bazë. Duhet të ketë nevojë të vendosur për një rritje serioze, siç e parashikoi ministri i kaluar, i cili për arsye të pakuptueshme shtyu një agjendë për rritjen e çmimit”, shtoi Filkov.

Ministri paralajmëroi edhe debat për këtë çështje që të mos dëmtohen as qytetarët dhe as noterët.