Nis testimi i stabilitetit infrastrukturor të Urës së Ibrit (Video)

Shpërndaje

Kompania e kontraktuar ka vazhduar me testimet edhe me kamionë për stabilitetin infrastrukturor të urës mbi lumin Ibër, në Mitrovicë.

Ndërkaq, gjersa testimi është duke vazhduar në urën e Ibrit, në Komunë të Mitrovicës po mbahet një diskutim publik për përfitimet që do të sjellë hapja e saj.

Ndërkaq, një ditë më parë për Telegrafin zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tregoi se ky proces i këtyre matjeve dhe testimeve mund të zgjas deri në tri ose katër ditë.

Ai tha se në mungesë të projektit në kohën kur është ndërtuar kjo urë, kompania është kontraktuar që të filloj me gjeometrinë e urës, testimin e shtyllave, të pllakave e të themeleve.

“Ata kanë filluar dje dhe tash është çështje e kompanisë deri sa t’i përfundojë. Janë çështje teknike. Dje kanë filluar me gjeometrinë, nuk e di a i kanë përfundu. Por, besoj që për dy tri ditë përfundojnë komplet këto si proces. Ky është një proces, në fillim bëhet gjeometria, pasi për atë urë nuk ka projekt ekzistues në kohën kur është ndërtuar ura. Kanë filluar me gjeometri, e kur ta përfundojnë me gjeometrinë, fillojnë me testimet e stabilitetit të trajeve të pllakave, të shtyllave, të themeleve e të gjitha këto. Si proces nuk zgjat më shumë se tri-katër ditë, ose dy-tri ditë”’, ka thënë Durmishi.

Ndryshe, sot te Ura e Ibrit është arrestuar Aleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe, pasi sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ai ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.

Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.

Mësohet se anëtarë të partisë së Arsenijeviqit kanë penguar lyerjen e flamurit serb në afërsi të urës.

Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Faza e dytë e testimit të urës së Ibrit, raporti i ekspertëve brenda 2-3 ditësh

Insistimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit po vazhdon edhe tutje.

Të mërkurën kompania e kontraktuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor ka filluar me fazën e dytë dhe të fundit praktike, që është testimi për peshën e automjeteve që mund të lëvizin mbi urë.

Një herë është testuar vetëm kalimi i kamionit bosh e pastaj edhe kamioni i ngarkuar.

Poshtë saj, janë vendosur mjetet adekuate për të vlerësuar qëndrueshmërinë e urës e punëtorët e kompanisë po shikojnë çdo detaj nga kjo matje.

Rezultat final nuk ka akoma sepse të dhënat e marra nga ditët e sotme do të analizohen në ditët në vazhdim.

Ai që kishte ardh tek Ura e Ibrit siç tha ai për t’i parë punimet nga afër, zv.Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se marrja e rezultateve finale është çështje ditësh.

“Sa të përfundojnë testimet, aparatura është shumë moderne që është duke u aplikuar këtu për testime të stabilitetit dhe besoj që për dy-tri ditë do ta kemi raportin final”, ka thënë Durmishi.

Sipas tij, kjo urë është mjaftë e qëndrueshme.

“Teorikisht ka mundësi, në bazë të asaj që kam pa unë gjatë vizitave të mija, kjo urë është shumë stabile, është një ndër më të fortat që i kemi në Kosovë”, ka shtuar Durmishi.

Të gatshëm të zbatojnë çdo urdhër janë edhe Policia e Kosovës në veri të vendit.

“Ne nuk kemi ndonjë informacion që kjo urë është duke u hapur tash, nëse merret ndonjë vendim ose vjen ndonjë vendim ndërmjet hierarkisë tonë komanduese atëherë i marrim masat e nevojshme”, ka thënë Veton Elshani.

Gjatë kryerjes së testimit të stabilitetit të urës, procesin e kanë përcjell nga afër si zakonisht karabinierët italian por si rrallë herë aty ishin KFOR-i gjerman.

Misioni paqëruajtës, KFOR, ka kërcënuar se do të intervenojnë për ‘çfarëdo zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin që buron nga OKB-ja’.

Pamje nga testimi i urës së Ibrit