BotaTop Lajme

Erdoğan e quan “turp” praninë e Netanyahut në OKB, kërkon veprime kundër Izraelit

Shpërndaje

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dënoi praninë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të cilën ai e konsideroi si “turp”, raporton Anadolu.

“Është vërtetë një burim turpi që një kriminel (Netanyahu), i cili kreu gjenocid në Palestinë, mund të zërë vendin e tij nën çatinë e OKB-së. Kjo është një tradhti ndaj kujtimeve të foshnjave, fëmijëve, nënave, baballarëve, zyrtarëve të OKB-së, gazetarëve dhe shumë të tjerëve që janë vrarë brutalisht”, u tha Erdoğan gazetarëve të mërkurën në Turkevi (Shtëpia turke) në New York.

Netanyahu u nis për në New York në orët e para të së enjtes, tha Zyra e Kryeministrit. Kryeministri izraelit pritet të mbajë fjalim të premten në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sipas mediave lokale.

“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ose do ta trajtojë vrasësin (Netanyahun) ashtu siç e meriton, ose kjo situatë e turpshme do të hyjë në historinë e OKB-së si një njollë e zezë”, shtoi ai.

OKB-ja është në një pozicion ku nuk është në gjendje të përmbushë misionin e saj për të parandaluar luftërat, nuk është në gjendje të mbrojë as zyrtarët e vet dhe nuk është në gjendje të kërkojë llogari nga Izraeli për vrasjen e tyre, tha Erdoğan.

Ai theksoi gjithashtu se OKB-ja ka humbur funksionalitetin e saj dhe është bërë një strukturë që ruan një sistem në të cilin “i fuqishmi ka të drejtë”.

Në lidhje me sulmet izraelite në Liban, ai tha se Türkiye do t’i ofrojë mbështetje Libanit për t’u rimëkëmbur dhe do të mendojë si ta kthejnë atë në gjendjen origjinale. “Dëshira jonë është që Libani ta kalojë traumën sa më shpejt”, tha presidenti turk.

– Erdoğan shpreson për marrëdhënie pozitive paszgjedhore me SHBA-në

Presidenti turk shprehu shpresë se rezultati i zgjedhjeve presidenciale të kësaj vjeshte në SHBA do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Türkiyen, megjithëse mbetet skeptik, duke përmendur zhgënjimet e gjata si në administratën republikane, ashtu edhe atë demokrate.

“Shpresa ime është që udhëheqja e re të mos jetë më e keqe se ajo e mëparshme”, tha ai.

“Çështja e avionëve F-35 nuk ishte diçka që ne e përjetuam vetëm gjatë mandatit të Donald Trumpit; të gjitha administratat kanë qenë një zhgënjim. Si republikanët, ashtu edhe demokratët kanë shkaktuar zhgënjim. Ne do të shohim nëse kjo do të vazhdojë në epokën e re”, tha ai, duke iu referuar përjashtimit të Türkiyes nga programi i avionëve luftarakë të SHBA-së, të cilin Ankaraja e ka quajtur prej kohësh si një veprim të padrejtë dhe të pajustifikuar.

Erdoğan theksoi synimin e Türkiyes për të rikthyer 1,45 miliardë dollarët që i detyrohen nga programi i avionëve luftarakë F-35, duke deklaruar: “Kjo nuk është një shumë e vogël. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të marrë atë që na detyrohet”. Ai tha se Türkiye do të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me SHBA-në pas zgjedhjeve, në varësi të qasjes së administratës së re.

– BRICS dhe ASEAN

Presidenti Erdoğan theksoi gjithashtu rolin e Türkiyes në partneritetet globale dhe grupimet e reja të mundshme: “Ne nuk mund t’i ndërpresim lidhjet tona me botën turke dhe botën islame vetëm sepse jemi një vend i NATO-s. BRICS dhe ASEAN janë struktura që ofrojnë mundësi për të zhvilluar bashkëpunimin tonë ekonomik”.

Ai theksoi hipokrizinë e atyre që kundërshtojnë përfshirjen e Türkiyes në BRICS. “Ata që thonë ‘Mos u bashkoni me BRICS-in ose ndonjë strukturë tjetër’ dhe ata që na kanë mbajtur të presim me vite në derën e BE-së, për të cilën ne kemi punuar për t’u bërë pjesë, janë të njëjtët njerëz”, deklaroi Erdoğan.

Erdoğan shprehu optimizëm për ndikimin në rritje të Türkiyes në këto blloqe, duke thënë: “Unë besoj se prania jonë në BRICS dhe ASEAN dhe dukshmëria jonë këtu do të ndryshojë aritmetikën e rajoneve”.