Kurti: Rritja ekonomike e qëndrueshme vazhdoi edhe në tremujorin e dytë të vitit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rritja ekonomike vazhdoi edhe në tremujorin e dytë të vitit 2024.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se rritja ekonomike e qëndrueshme po bëhet përtej projeksioneve fillestare.
Kurti shtoi se “masat e punësimit, mbështetja ndaj bizneseve, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtylla kryesore të zhvillimit”.
“Rritja ekonomike e qëndrueshme po vazhdon edhe në tre mujorin e dytë të vitit, madje përtej projeksioneve fillestare. Masat tona të punësimit, mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtyllat tona të zhvillimit”, ka shkruar Kurti.
Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati ka diskutuar për rritjen ekonomike në vend.
Ai ka deklaruar se ekonomia vazhdon rritjen me 4.27% edhe në tremujorin e dytë të 2024.
“Pas rritjes së theksuar në tremujorin e parë me 5.62%, ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me 4.27% në terma realë sipas ASK-së, duke performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8%-3.9%”, ka theksuar ministri.