PAMJET/ Tentoi të rrëmbejë një fëmijë në supermarket, policia e Tiranës po kërkon këtë grua
Një grua po kërkohet nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka tentuar të rrëmbejë një fëmijë. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në një supermarket në kryeqytet.
Sipas një videoje të publikuar nga policia ajo shikon fëmijën vetëm dhe i afrohet, e më pas e merr në krahë. Pasi ndalon në një moment pranë kasës, gruaja bashkë me fëmijën drejtohet tek dera, me qëllim për t’u larguar. Më pas rikthehet dhe e merr përdore duke dalë jashtë.
Ajo është pikasur shpejt nga personeli i supermarketit, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë lajmëruar prindërit. Në momentin që është tentuar të ndalohet nga punonjësit, ajo ka lënë fëmijën dhe është larguar me vrap. Pamjet e gruas u janë shpërndarë të gjitha strukturave të policisë, për të bërë identifikimin e saj.
Nga veprimet që ajo kryen, blutë nuk përjashtojnë mundësinë që të jetë me probleme të shëndetit mendor. Autoritetet kanë marrë në pyetje disa persona, por nuk kanë mundur të bëjnë identifikimin e gruas.
“Më datë 14.09.2024, është paraqitur në Polici shtetasi E. D., 34 vjeç, i cili ka kallëzuar se në Rrugën e Barrikadave, në një market, një shtetase ende e paidentifikuar, ka marrë në krahë vajzën e tij të mitur 2 vjeçe, ka dalë nga dera e marketit dhe më pas është rikthyer sërish.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkruar në vendngjarje ku kanë administruar pamjet filmike si dhe kanë pyetur punonjësit e marketit të cilët kanë pohuar se shtetasja në fjalë, gjatë komunikimit ka shfaqur probleme dyshohet të shëndetit mendor. Vijon puna për identifikimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes” – thuhet në njoftimin e policisë. Policia e Tiranës kërkon edhe ndihmën e qytetarëve nëse e njohin gruan që shfaqet në pamje, për të bërë ndalimin e saj.