Për herë të dytë shqiptarët e Luginës kërkojnë me protestë trajtim të barabartë në Serbi
Për herë të dytë, me moton “Për identitet dhe dinjitet”, me qindra qytetarë dhe udhëheqës të partive politike në Preshevë, nëpërmjet protestës kanë kërkuar trajtim të barabartë nga Serbia. Protestuesit kanë shprehur kërkesa për njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova.
Në mënyrë të organizuar qindra shqiptarë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjes u bashkuan për të protestuar për një qellim te vetëm, pakënaqësinë kundër shtypjes dhe diskriminimit që po u ushtrohet nga autoritetet serbe.
Me moton “Për identitet dhe dinjitet” e me pankarta në duar, “Stop Pasivizimit Selektiv”, “duam njohje te diplomave e librave shqip”, ata marshuan nga stadiumi i Preshevës në drejtim të qendrës së këtij qyteti.
Deri në qendër të qytetit, protestuesit vendosen mesazhe në institucione të larta të Serbisë.
Pavarësisht rezistencës të një zyrtari serb të Prokurorisë publike komunale, që mesazhi me mbishkrimin “KTHE GJYKATËN”, të mos vendosej, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, e ka akuzuar Qeverinë në Beograd për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare.
Sipas tij, Serbia nuk e dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se pavarësisht se janë nënshkruar marrëveshje për plotësimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, një gjë e tillë nuk ndodhi.
E kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, tha se protestat do të vazhdojnë deri kur kërkesat e tyre të realizohen.
Përfaqësuesi i shqiptarëve në Medvegjë, Arben Ferati, fajin për mostrajtim të dinjitetshëm ia la bashkësisë ndërkombëtare
Pritje për trajtim të barabartë të shqiptarëve dhe për ndalim të diskriminimit të tyre nga Serbia kanë shprehur shumë qytetarët që kanë qenë pjesë e protestës.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Luginës kanë protestuar. Muajin e kaluar përmes një proteste në qytetin e Bujanocit ata kanë protestuar me kërkesa të njëjta.
Kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth gjashtë mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.