Borrell: Nëse nuk mbështesim Ukrainën lufta përfundon për 15 ditë, por Putin ia arrin qëllimit
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se lufta në Ukrainë do të përfundonte brenda 15 ditësh nëse vendet perëndimore nuk mbështesin Kievin, por presidenti rus Vladimir Putin do t’i arrinte qëllimet e tij, transmeton Anadolu.
Borrell në një prononcim për faqen spanjolle të lajmeve “20minutos” tha se shumë njerëz, përfshirë ukrainasit duan që lufta të përfundojë sa më parë. “Por, e rëndësishme është se si do të përfundojë. Nëse ndalojmë së mbështeturi Ukrainën, lufta përfundon për 15 ditë. Por, Putini do t’i arrijë qëllimet e tij”, tha ai.
“Një situatë e tillë është rrezik për sigurinë e Ukrainës dhe të Evropës. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që kur të vijë koha të sigurohet që negociatat të mund të zhvillohen në kushte të përshtatshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, deklaroi Borrell.
Duke bërë një autokritikë për 5 vitet që kreu detyrën si Përfaqësues i Lartë i BE-së, Borrell tha:
“Ky pozicion është mësim jashtëzakonshëm për përulësi sepse shihet se sa e vështirë është zgjidhja e problemeve të njerëzimit. E shihni se sa inteligjencë dhe përpjekje shpenzohen përballë marrëzisë njerëzore. Nëse punimet do të vlerësoheshin me përkushtimin, orët e përkushtuara dhe përpjekjet, unë ndoshta e meritoj një notë të lartë. Por, nëse do të duhej të vlerësohen sipas rezultateve, këto janë gjëra larg asaj që unë dëshiroj”.