RajoniTop Lajme

Marrëveshja Shqipëri-Itali, mbërrin grupi i parë i emigrantëve

Shpërndaje

Grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm që janë ndaluar nga autoritete italiane ka mbërritur në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, raporton Anadolu.

Anija “Libra” e marinës italiane ka mbërritur në Portin e Shëngjinit në Qarkun e Lezhës, duke sjellë grupin e parë të emigrantëve, të cilët do t’u nënshtrohen më pas procedurave të përshpejtuara kufitare.

Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë thuhet se policia ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare.

“Në Portin e Shëngjinit u ankorua anija ‘Libra’ e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë”, thuhet në njoftim.

Grupi i emigrantëve janë vetëm meshkuj, ndërkohë nën masa të larta sigurie dhe nën shoqërimin e forcave të policisë, emigrantët janë transferuar më pas në qendrën ku do të qëndrojnë në ditët në vazhdim.

Emigrantët do të qëndrojnë në qendrën e ngritur në fshatin Gjadër të Qarkut të Lezhës, në pritje të përpunimit të kërkesave të tyre për azil.

– Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritjen në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës do të menaxhohen nga autoritetet italiane, ndërkohë në javët në vazhdim pritet edhe mbërritja e emigrantëve të tjerë.