Nikollovski i VMRO-së: S’ka autostradë Tetovë-Prizren, por rrugë magjistrale
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve nga VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikollovski ka theksuar se aksi Tetovë-Prizren në pjesën e Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë autostradë, por rrugë magjistrale.
Ai thotë se deri tani nuk ka asgjë konkrete, edhe pse në anën tjetër pala kosovare po kryen punimet intensive.
Nikollovski shton se pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në janar të këtij viti mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, për ndërtimin e përbashkët të rrugës Prizren – Tetovë, përbërja e kaluar qeveritare nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për këtë.
Sipas tij, rruga magjistrale Prizren – Tetovë do të ndërtohet me një projekt të mirë, me sigurimin e financimit dhe me kontraktor të zgjedhur, për çka ai tha se, veç më janë në kontakt me palën kosovare.
“Atë që unë e kam bërë së bashku me drejtorin e NP Rrugë Shtetërore kemi kontaktuar me Qeverinë e Kosovës që bashkërisht të përgatisim projektimin e asaj rruge, ku gjithashtu duhet të ketë tunel, që të përgatisim projekt, të përgatisim dizajn të përbashkët dhe në bazë të kësaj, pas kësaj, të kërkohet financim dhe të kërkohet kontraktor. Në këtë moment, për atë rrugë nuk është siguruar as projekt, as financim, as kontraktor ndërsa qeveria e kaluar, ose BDI për të qenë më konkret e prezantoi sikur të fillonte nesër”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve. (INA)