Atiqi fillon procedurat për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka kërkuar anëtarësimin në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Përmes një kërkese zyrtare, Atiq ka kërkuar nga kryetari i Asociacionit, që komuna të cilën ai e udhëheqë të bëhet pjesë e bashkësisë që përfshinë të gjitha komunat e Kosovës.

“Si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, ju njoftoj se me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të interesave të përbashkëta komunale, bazuar në nenin 31 dhe 32 të Ligjit për qeverisjen lokale, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kemi filluar procedurat për anëtarësim të komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, ka shkruar ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i tha KOHËS se ka pranuar kërkesën për anëtarësim nga kryetari Atiq.

“Po, sot kemi pranuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim. I jemi përgjigjur dhe ia kemi treguar procedurat për anëtarësim”, deklaroi Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së.