BotaTop Lajme

Presidenti turk Erdoğan kryeson një takim sigurie pas sulmit terrorist në Ankara

Shpërndaje

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kryesoi një mbledhje sigurie në Istanbul, një ditë pas sulmit terrorist në kryeqytetin Ankara, ku u vranë pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë, transmeton Anadolu.

Erdoğan u kthye nga qyteti rus i Kazanit, ku shkoi për të marrë pjesë në samitin e 16-të të BRICS-it.

Ndër të pranishmit në takim ishin ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Metin Gürak dhe shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) Ibrahim Kalın.

Drejtori i Komunikimeve i Presidencës Fahrettin Altun, presidenti i Industrive të Mbrojtjes i Presidencës Haluk Görgün, këshilltari presidencial për politikën e jashtme dhe sigurinë Akif Çağatay Kılıç dhe zëdhënësi i AK Partisë Ömer Çelik ishin gjithashtu të pranishëm në takimin në zyrën shtetërore të Aeroportit Ataturk.

Takimi u fokusua në sulmin terrorist të së mërkurës ndaj Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në rrethin Kahramankazan të Ankarasë dhe hapat e nevojshëm në luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit.

Zyrtarët përsëritën angazhimin e Türkiyes për të luftuar terrorizmin dhe theksuan se vendi nuk do të lejojë krijimin e një “shteti terrorist” përtej kufijve të tij.

Një shpërthim dhe të shtëna armësh u dëgjuan të mërkurën në objektet e TUSAŞ-it në rrethin Kahramankazan të Ankarasë.

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se pesë persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën në sulm, ndërsa dy terroristë që sulmuan objektet u “neutralizuan”.

Yerlikaya njoftoi se terroristët e neutralizuar përgjegjës për sulmin u identifikuan si anëtarë të grupit terrorist PKK.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve.