VMRO nuk e ka ndërmend ta mbështesë nismën e VLEN-it për Akademinë Shqiptare
Për momentin ideja e koalicionit VLEN që shoqata e akademikëve shqiptarë të ngritet në Akademi, me shumë mundësi nuk do të realizohet, shkruan Alsat.
Kjo për arsye se kjo nismë as në nivel lokal e as si zgjidhje ligjore nuk po mer mbështetje nga asnjë parti politike në vend.
Kryeministri Hristijan Mickoski, konsideron se kjo temë u kryen punë vetëm partive opozitare të cilat duan të ngritin apo të ulin rejtingun politik.
Preferon që të hollat e komunave, të shfrytëzohen për projekte infrastrukturore.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së, Qeverisë por edhe akademikëve nga përkatësi të ndryshme etnike është i qartë se në Maqedoni ekziston një Akademi e Shkencave dhe arteve. Unë nuk do të doja që paratë e qytetarëve të harxhohen për organizata joqeveritare. Përndryshe absolutisht, buxhet të tillë këshilltarët e VMRO-së nuk kanë ndërmend dhe nuk do të votojnë në korniza të këshillave”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ideja e VLEN-it nuk mbështetet as nga BDI.
Për partinë e Ahmetit kjo nismë është denigrim për shqiptarët.
“Në atë formë që dje u paralajmërua dhe format që më herët propagoheshte ka dallim si nata me ditën. Është devalvuar nga një akademi e paralajmëruar nga niveli i akademisë në nivel të një organizate joqeveritare. Nuk jemi të interesuar për të mbështetur projekte të cilat cënojnë interesin e shqiptarëve dhe projekte të cilat denigrojnë atë që është shqiptare në RMV”, u shpreh Faton Ahmeti – Sekretar Gjeneral i BDI-së.
Mbështetje nuk ka as nga LSDM. Arsyetimi i tyre është se ASHAM është Akademi që përfaqëson të gjitha etnitetet.
“LSDM nuk do të mbështesë ndarje etnike në shkencë dhe kategorikisht do të kundërshtojë idetë të cilat promovojnë dhe i nxisin partnerët e koalicionit në pushtet në krye me VLEN. Kategorikisht jemi kundër formimit të akademisë paralele për shkencë dhe arte përshkak se kjo do të thotë etnizim të shkencës dhe krijimin e institucioneve etnike, në vend të institucioneve për të gjithë qytetarët”, tha Mitko Trajçuleski – Sekretar Organizativ i LSDM-së.
Duke patur parasysh që ngritja nga shoqatë në akademi të shkencave dhe arteve kërkon pëlqim nga partneri i koalicionit, VMRO-DPMNE, VLEN do ta ketë të pamundur ta rregullojë këtë çështje ligjërisht.
Përskaj kësaj, VLEN-it nuk i mjaftojnë këshilltarët në asnjë prej katër komunave të cilat morën nismën për të mbështetur finansiarisht shoqatën joqeveritare, pasi pa partitë e tjera nuk e kanë shumicën e badenterit./ Alsat.mk