Nga Prekazi jepen zotime për mbrojtje të çdo cepi të Republikës së Kosovës
Për Ditën e Flamurit, qytetarë të shumtë dhe udhëheqës shtetërorë e partiakë u mblodhën në Prekaz. Aty u nderua vepra e heronjve të luftës së fundit të shqiptarëve, por edhe u kujtua paraqitja e parë publike e UÇK-së, fiks 27 vjet më parë
Të veshur kuqezi e me flamuj në duar, mijëra qytetarë nga vendi dhe rajoni, të enjten ia mësynë Prekazit.
Në përvjetorin e 112-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ata kanë kujtuar edhe sakrificën e heronjve të luftës së fundit në Kosovë.
“Fatkeqësisht është hera e parë që kam ardhur dhe pata shumë emocione, duke filluar prej kullave”, ka thënë Zhaklina Ibrahimi.
“Ne kemi ardhur me disa shokë prej Maqedonisë së Veriut, për disa shokë është hera e parë që vijmë këtu, e kemi parë prej dokumentarëve, por është ndryshe kur e prekë fizikisht prej afër vendit…Është shumë emocionuese, kur i viziton këto vende të shenjta”, ka deklaruar Jakup Veseli.
Pos qytetarëve, Prekazin të enjten e vizituan edhe përfaqësues të institucioneve e partive politike. Të gjithë bënë homazhe pranë varrezave të familjes Jashari.
Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar këtë festë si një lidhje të pandashme të datave historike për kombin shqiptar.
“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë por njëkohësisht edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të cilat na sjellin këtu në Prekaz, në vendin e qëndresës historike edhe një herë për të treguar jo vetëm madhështinë dhe përjetësinë e sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, por për t’u betuar edhe një herë para varreve të tyre prej vendit ku ata prehen përjetësisht, që do ta mbrojmë… në mënyrë të pakompromis çdo cep të Republikës sonë”, ka thënë Osmani.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar edhe nga disa ministra, ka thënë se me këtë ditë lidhen shumë ngjarje historike.
“Ashtu sikurse çdo 28 Nëntor, edhe këtë 28 Nëntor erdhëm në Prekazin legjendar për t’u përkulur para sakrificës së madhe së familjes Jashari, për ta kujtuar edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe daljen e saj, si dhe për ta kujtuar edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari!”, u shpreh ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po ashtu bëri homazhe në Prekaz, fshat që, siç tha, mban rrënjët e luftës së UÇK-së.
“Jemi këtu në Prekazin heroik, aty ku i ka rrënjët historia e luftës çlirimtare, aty ku i ka rrënjët edhe liria e popullit tonë për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe titanik të familjes Jashari në krye me kryekomandantin Adem Jashari. Por, edhe për të uruar gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e Flamurit për 28 Nëntorin e Krujës, 28 Nëntorin e Vlorës dhe 28 Nëntorin e Prekazit”, ka thënë Krasniqi.
Homazhe janë kryer edhe në memorialin e Isa Boletinit në Boletin, te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë dhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
E në Llaushë të Skenderajt u bë zbulimi i memorialit në kujtim të paraqitjes së parë publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997.