Sulmi në Zubin Potok, arrestohen disa persona, Albin Kurti: Terroristët do të përballen me drejtësinë!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Kryeministri është i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes, në një deklaratë për media.
Pas shpërthimit kryeministri Kurti u shpreh se shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike.
Kryeministri Kurti, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok, ka thënë se atje po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona, të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar atje./RTK
Postimi i plotë:
Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht cënimin e sigurisë kombëtare dhe defunksionalizimin e jetës normale në vendin tonë.
Falë punës së jashtëzakonshme të institucioneve, inxhinierëve dhe punëtorëve të ndërrmarrjeve publike, u rikthye në funksion kanali i Ibër Lepencit në kohë rekorde duke mundësuar furnizimin e KEK-ut me ujë. Për këtë u jemi shumë falënderues dhe mirënjohës për punën dhe angazhimin.
Sot së bashku me ministrin Sveçla, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Hoxha dhe Drejtorin e AKI-së, Ajeti dhe Kryeshefin Ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, Mujka ishim në fshatin Varagë të Zubin Potokut, tek kanali i dëmtuar nga shpërthimi i mbrëmshëm.
Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë. Në anën tjetër, institucionet tjera përkatëse janë duke bërë gjithçka çfarë është e mundur që të sigurohet uji i pijshëm, energjia elektrike e ngrohja.
Një falënderim të veçantë për qytetarët e vendit për mbështetjen, solidaritetin dhe maturinë e treguar.