BotaTop Lajme

Trump, trysni kandidatëve për udhëheqës të Senatit të konfirmojnë të emëruarit e tij

Shpërndaje

Vetëm pak ditë para se republikanët në Senatin amerikan të zgjedhin udhëheqësin e tyre të ri, Presidenti i zgjedhur Donald Trump po u bën trysni kandidatëve që të ndryshojnë rregullat dhe t’i japin atij pushtetin për të emëruar disa zyrtarë pa konfirmimin e Senatit.

Senatorët republikanë, John Thune nga Dakota e Jugut, John Cornyn nga Teksasi dhe Rick Scott nga Florida, garojnë në një proces zgjedhor me vota të fshehta të mërkurën për të zëvendësuar udhëheqësin republikan Mitch McConnell, i cili po tërhiqet nga kjo pozitë pas gati dy dekadash.

Të tre kandidatët kanë bërë përpjekje për të fituar përkrahjen e zotit Trump gjatë garës, duke u munduar të tregojnë se cili prej tyre është më i afërt me presidentin e zgjedhur, ndërkohë që bëjnë fushatë për të marrë drejtimin e shumicës republikane në Senat.

Trump nuk ka mbështetur asnjërin kandidat, por të dielën e bëri të qartë se pret që udhëheqësi i ri të anashkalojë procesin e rregullt në Senat, nëse është e nevojshme, për të mundësuar konfirmimin me shpejtësi të anëtarëve të kabinetit të ri republikan.

Në një deklaratë në platformat X dhe Truth Social, zoti Trump tha se udhëheqësi i ri “duhet të pajtohet” që ta lejojnë atë t’i bëjë emërimet kur Senati të jetë në pushim, duke e shmangur votën e konfirmimit nga kjo dhomë e Kongresit.

“Secili senator republikan që e synon pozitën e lakmuar të UDHËHEQËSIT të Senatit amerikan duhet të pajtohet me emërimet gjatë kohës së pushimit (në Senat!), pa të cilat nuk mund të konfirmojmë të emëruarit në pozitat e tyre pa vonesa”, shkroi zoti Trump, duke shtuar se këto poste duhet të plotësohen “MENJËHERË!”

Senati nuk i ka lejuar presidentët amerikanë që të bëjnë emërime gjatë kohës së pushimeve në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë në vitin 2014, i cili kufizonte kompetencat e presidentit ndaj një vendimi të tillë.

Që atëherë, Senati ka mbajtur seanca të shkurta kur senatorët nuk janë të pranishëm për më shumë se 10 ditë në mënyrë që presidenti të mos