Presidenti Biden dhe presidenti Xi biseduan në takimin virtual historik

Shpërndaje

Me një përshëndetje miqësore, presidenti Joe Biden filloi takimin e tij të parë që nga marrja e detyrës me presidentin kinez, Xi Jinping, përpara se të kalonte shpejt në një diskutim të matur mbi sfidat që përshkojnë marrëdhëniet ndërmjet dy kombeve.

“Më duket se përgjegjësia jonë si udhëheqës të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, është të sigurohem që konkurrenca midis vendeve tona të mos shndërrohet në konflikt”, tha presidenti Biden të hënën, ndërsa të dy udhëheqësit folën nëpërmjet një video-telefonate.

Presidenti Biden theksoi se vendet duhet të vendosin “parmakë mbrojtës” për të shmangur konfliktin dhe të punojnë së bashku aty ku është e mundur, për çështje të tilla si ndryshimi i klimës.

Presidenti Xi gjithashtu pranoi se ka shumë çështje të hapura midis dy fuqive të mëdha dhe, siç pritej, mbrojti sovranitetin e kombit të tij kundër asaj që Pekini e ka perceptuar prej kohësh si gjykim dhe trysni amerikane dhe ndërkombëtare.

“Duhet t’i drejtojmë mirë punët tona të brendshme dhe, në të njëjtën kohë, të marrim pjesën tonë të përgjegjësive ndërkombëtare dhe të punojmë së bashku për të çuar përpara kauzën fisnike të paqes dhe zhvillimit botëror”, tha presidenti Xi. “Kjo është një dëshirë e përbashkët e njerëzve të dy vendeve tona dhe të mbarë botës”.

Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si një konkurrente strategjike, ndërsa Pekini po përpiqet të rrisë ndikimin ushtarak dhe ekonomike në mbarë botën. Dy vendet kanë një seri mosmarrëveshjesh ligjore, teknologjike dhe ekonomike, të cilat mund të përshkallëzohen. Ka pasur përplasje për pronësinë intelektuale dhe tarifat tregtare, ashtu si edhe pika të nxehta rajonale që mund të shndërrohen në konflikt të armatosur, ndër to edhe Ngushtica e Tajvanit, dhe detërat e Kinës Jugore dhe Lindore.

Dy udhëheqësit folën publikisht për rreth 10 minuta me ndihmën e përkthyesve, përpara se të fillonin takimin e tyre të mbyllur, që zgjati rreth tri orë.

“Presidenti Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë interesat dhe vlerat e tyre dhe, së bashku me aleatët dhe partnerët, do të sigurojnë rregullat e rrugëtimit për shekullin e 21-të, që të çojnë përpara një sistem ndërkombëtar që është i lirë, i hapur dhe i drejtë”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të lëshuar pas mesnatës. “Ai theksoi përparësinë që u jep investimeve me ndikim të gjerë në vend, ndërkohë që jemi të lidhur me aleatët dhe partnerët jashtë vendit për të përballuar sfidat e kohës”./VOA