Erdoğan bën thirrje për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon
ISTANBUL (AA) – Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, bëri thirrje për vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan foli në seancën e posaçme mbi situatën në Palestinë dhe Liban, në kuadër të samitit të organizatës D-8 që po mbahet në Egjipt.
“Si vende të D-8, duhet gjithë së bashku të bëjmë më shumë përpjekje për vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajonin tonë”, tha Erdoğan.
“Shpresoj që armëpushimi në Liban dhe rënia e regjimit të Asadit në Siri do të shënojnë fillimin e një epoke më pozitive”, shtoi ai.
Presidenti turk u shpreh se “si vende islame duhet të udhëheqim hapat që mund të hidhen kundër Izraelit”, duke theksuar se “është shumë e rëndësishme që të vendoset embargo e armëve ndaj Izraelit, t’i jepet fund tregtisë me Izraelin dhe të izolohet ndërkombëtarisht”.
“Ne i shohim hapat e Izraelit që injorojnë integritetin territorial të Sirisë, përfshirë zgjerimin e vendbanimeve të jashtëligjshme në Lartësirat e Golanit”, tha Erdoğan, duke shtuar se vendet e grupit D-8 duhet të reagojnë fuqishëm ndaj paligjshmërisë që kërcënon stabilitetin e Sirisë dhe rajonit.
Duke folur për situatën në Palestinë, presidenti Erdoğan u shpreh se “synimi ynë afatgjatë duhet të jetë nisja e procesit të negocimit për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete”.
Ai gjithashtu tha se duhet inkurajuar sa më shumë shtete, veçanërisht anëtarët e grupit D-8, që t’i bashkëngjiten procesit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në GJND.