Hetuesit e Koresë së Jugut kërkojnë urdhërarrest për presidentin e pezulluar Yeol
Hetuesit në Korenë e Jugut kanë kërkuar urdhërarrest për presidentin e pezulluar nga detyra, Yoon Suk Yeol, për shkak të shpalljes së ligjit ushtarak, tha të hënën një zyrtar. Kjo është hera e parë që presidenti ballafaqohet me veprim të tillë.
Yeoli nuk u është përgjigjur thirrjeve për t’u marrë në pyetje nga policia dhe nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarë të Lartë, të cilët po zhvillojnë hetim të përbashkët për të marrë vesh nëse shpallja e ligjit ushtarak më 3 dhjetor përbën kryengritje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Policia është munduar, por ka dështuar që ta bastisë zyrën presidenciale si pjesë e hetimit. Një gjykatë në Seul do të vendosë nëse do të lëshohet urdhërarresti ndaj presidentit, pas kërkesës së hetuesve.
Kryengritja është njëra nga pak akuzat për të cilat presidenti i Koresë së Jugut nuk ka imunitet.
Yoon Kab-keun, avokat i presidentit të pezulluar, tha se urdhërarresti është “i padrejtë” dhe se agjencia kundër korrupsionit nuk ka autoritet për masë të tillë.
Yeolit iu pezulluan kompetencat presidenciale, pasi deputetët votuan për ta hetuar për shkak të vendimit për ta futur në fuqi ligjin ushtarak, që nuk zgjati shumë.
Veprimi i presidentit e tmerroi shtetin që ka sistem demokratik nga vitet e tetëdhjeta, shkaktoi alarm ndërkombëtar në mesin e aleatëve si Shtetet e Bashkuara.