BotaTop Lajme

Shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, tërhiqet presidenti i Koresë së Jugut! Heq ligjin ushtarak

Shpërndaje

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol deklaroi se do të heqë ligjin ushtarak disa orë pasi bëri deklaratën në një fjalim të papritur natën vonë dhe e zhyti vendin në pasiguri politike.

Ligjvënësit që u mblodhën në parlamentin e vendit votuan njëzëri për të bllokuar dekretin e Yoon .

Asambleja Kombëtare u mbush me ushtarë dhe policë mbrëmjen e 3 dhjetorit dhe helikopterët u panë duke bërë ulje në çatinë e Parlamentit, teksa shefi i ushtrisë, gjenerali Park An-su, mori përsipër komandën sipas vendimit për shpalljen e gjendjes së luftës dhe menjëherë lëshoi dekretin që ndalon “të gjitha aktivitetet politike”.

Tri orë pas vendimit të presidentit, Parlamenti votoi për heqjen e vendimit për shpalljen e gjendjes së luftës, teksa kryetari i Parlamentit, Woo Won Shik, deklaroi se vendimi për shpallje të gjendjes së luftës “është i pavlefshëm”, duke shtuar se ligjvënësit “do ta mbrojnë demokracinë së bashku me njerëzit”.

Lee Jae-myung, udhëheqësi i Partisë Demokratike, partia që ka shumicën në Parlament, deklaroi se deputetët e tij do të qëndrojnë brenda sallës kryesore të Parlamentit, derisa Yoon zyrtarisht të tërheqë vendimin e tij.

“Ligjvënësit e Partisë Demokratike, përfshirë mua dhe shumë të tjerë, do ta mbrojnë demokracinë e shtetit tonë dhe të ardhmen, si dhe sigurinë publike, jetën dhe pronat, me jetën tonë”, tha Lee për gazetarët.

Jo Seung-lae, ligjvënës i kësaj partie, pretendoi se sipas kamerave të sigurisë, trupat ushtarake po synojnë që ta arrestojnë shefin e partisë së tij, Lee, dhe madje edhe udhëheqësin e partisë së presidentit, Han Dong-hoon.

Qindra protestues u mblodhën para Parlamentit duke kërkuar që të lejohen të hyjnë brenda, teksa Policia ruajti ndërtesën dhe forcat speciale tentuan të hynin.