A do ta ndryshojë Trump marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas?
Fati i marrëveshjes për armëpushimin në Gaza varet nga presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump. Analistët mendojnë se natyra e tij e paparashikueshme mund të çojë në rishikim të marrëveshjes në fazën e dytë dhe të tretë.
Në një intervistë për Al Jazeera, analisti politik nga Instituti i Lindjes së Mesme në Uashington, Hassan Mneimneh, tha se kërkesa kryesore e Izraelit për çarmatimin dhe shpërbërjen e Hamasit rrezikon fazat e ardhshme të marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas tij, natyra e paparashikueshme e Trumpit do të përcaktojë nëse do të vazhdojnë luftimet.
“Trump vetë ka thënë se nuk ka vend për terroristët dhe se dëshiron paqe, por për paqen nevojitet një fitore – fitorja e Izraelit është e nevojshme për paqen. Në të vërtetë, këto sinjale të ndryshme tregojnë atë që mund të shohim si një rishikim të hapave”, tha Mneimneh.
Përtej lirimit të të burgosurve nga të dyja palët, mbeten pyetje serioze si shpërndarja e ndihmave dhe mënyra se si mund të arrihet një ndalim i qëndrueshëm i armiqësive.
Një tjetër analist tha se Trump ka qenë “jashtëzakonisht anti-palestinez” gjatë mandatit të parë dhe nuk ka interes të madh për mbikëqyrjen e përfundimit të konfliktit në Gaza gjatë mandatit të ardhshëm.
Analisti politik palestinezo-amerikan dhe ish-zëvendësdrejtor i Institutit arabo-amerikan, Omar Baddar, tha se 78-vjeçari ka treguar pak interes për respektimin e së drejtës ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Palestinën. Ai kujtoi se Trumpi zhvendosi ambasadën amerikane në Jerusalem, mbështeti zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të okupuar dhe legjitimoi aneksimin izraelit të Lartësirave të Golanit.
“Në këtë moment, ne e dimë që Trumpi është gjithashtu një agjent i kaosit. Dhe sasia e kaosit që ai do të krijojë në SHBA, padyshim që do ta angazhojë atë me betejat e brendshme”, shtoi ai.
Armëpushimi, që hyn në fuqi nesër, do të zhvillohet në tri faza, secila prej të cilave do të zgjasë gjashtë javë. /Telegrafi/