RajoniTop Lajme

Dënohet me dy vjet burgim dhe 9 mijë euro gjobë i akuzuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Shpërndaje

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, i akuzuari Marko Dançiq është dënuar me dy vite burgim efektiv dhe me 9 mijë euro gjobë për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, më 2023 pranë objektit të Komunës së Zveçanit.

Paraprakisht, nga Gjykata u bë e ditur se i akuzuari Dançiq dhe Prokuroria Speciale kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurori special Bekim Kodraliu tha se marrëveshja është arritur pas pranimit të autorizimit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, dhe se i akuzuari paraprakisht është njoftuar për benifitet dhe pasoja e pranimit të fajësisë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Dançiq, avokati Bogdan Llaziq tha se në tërësi i qëndrojnë prapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë dhe se sa i përket dënimit me gjobë, tha se kërkojnë që të përcaktohet për një periudhë më të gjatë kohore.

Më pas, gjykatësi i rastit Valon Kurtaj tha se meqenëse marrëveshja e arritur është konform dispozitave ligjore, e njëjtat pranohet dhe se me aprovohet edhe dënimi i rekomanduar.

Andaj, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, Dançiq u dënua me dy vite burgim efektiv dhe për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” me 6 muaj burgim. Mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit, gjykatësi tha se dënimi me burgim prej 6 muajsh i zëvendësohet me gjobë prej 9 mijë euro.

Gjykatësi Kurtaj tha se periudha kohore për pagesën e gjobës, do të jetë në maksimumin që e lejon ligji.

Në emër të paushallit gjyqësor, Dançiq u obligua të paguajë shumën prej 100 euro dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit shumë prej 100 euro.