Bota

Gjykata Supreme vendosi mbylljen e aplikacionit të dielën, reagon Donald Trump: Vendimi për TikTok varet nga unë

Shpërndaje

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se vendimi për të ardhmen e aplikacionit TikTok do të varet nga ai. Më herët, Gjykata Supreme amerikane vendosi ndalimin e rrjetit social në të gjithë territorin duke nisur nga kjo e diel, 19 janar 2025.

Trump nuk dha detaje se çfarë hapash do të ndërmerrte në adresimin e kësaj çështje.

“Në fund të fundit varet nga unë. Kështu që ju do të shihni se çfarë do të bëj”, tha Trump në një intervistë për CNN.

“Kongresi më ka dhënë vendimin e miratuar. Kështu që, unë do të marr një vendim”, deklaroi Trump.

Gjykata Supreme e SHBA vendosi ndalimin e TikTok për shkak të pronësisë së aplikacionit nga një kompani e lidhur me shtetin e Kinës. ByteDance, kompanisë amë të TikTok i është kërkuar të shesë aksionet e platformës.

ByteDance e ka sfiduar ligjin dhe ka argumentuar se ai shkel mbrojtjen e lirisë së fjalës për më shumë se 170 milionë përdoruesit e aplikacionit në SHBA. Por, ky argument u refuzua nga gjykata më e lartë e vendit dhe do të thotë se TikTok tani duhet të gjejë një blerës të miratuar për versionin amerikan të aplikacionit ose do të përballet me një ndalim total nga dita e diel.