Pamje nga avioni më i madh në botë i bombarduar nga Rusia

Shpërndaje

Anadolu Agency (AA) arriti të marrë pamje nga rrënojat e avionit më të madh të mallrave në botë, Antonov AN-225, i cili u shkatërrua nga forcat ruse në Ukrainë.

I njohur gjithashtu si “Mriya” (Ëndrra), avioni i cili ishte përdorur për të transportuar ndihma humanitare në mbarë botën, u dëmtua në shkallë të madhe për shkak të bombardimeve ruse gjatë ditëve të para të luftës Rusi-Ukrainë.

Avioni tani ndodhet në objektin e avionëve Antonov në qytetin Hostomel, ku deri para dy ditësh u zhvilluan përleshje të rënda.

Pas përleshjeve, rrënojat e shumë tankeve të djegura dhe automjeteve të tjera të blinduara mbeten nën krahët e AN-225.

Vazhdon puna e pastrimit në objekt, ku ka shumë granata dhe mina të pashpërthyera.

Një zyrtar nga Ministria e Brendshme e Ukrainës, i cili donte të mbetej anonim, tha për AA se përleshje intensive kishin ndodhur në rajon.

Zyrtari tha se Rusia synonte të kapte objektin, të sillte avionët e saj atje dhe të niste një sulm ajror më intensiv ndaj kryeqytetit, Kiev.

Ushtria ukrainase rifitoi kontrollin ndaj objektit të Antonovit dy ditë më parë.

Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimin Evropian, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.417 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.038 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 4,1 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vende të tjera dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Foto: Metin Aktaş – AA