RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore të 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut

Shpërndaje

Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt akademia përkujtimore.

“Varret e hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, vrragët e mbyllura në trup, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, ajo që duhet të ndodhë, për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve qoftë edhe në mungesë. Në vitet 1998-të dhe 1999-të, thuhej se përfundoi beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë, tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi.” u shpreh Kryeministri në hyrje të fjalës së tij.

Në përkujtim të 45 civilëve të vrarë nga forcat e armatosura serbe, kryeministri Kurti potencoi se ndodhen aty për të mos harruar kurrë masakrën e 15 janarit të vitit 1999 si dhe për ta përforcuar kujtesën për masakrën e Reçakut. Ai tha se Qeveria ka themeluar Grupin Punues për ta hartuar Detyrën projektuese për kompleksin memorial, si dhe ka miratuar shpronësime të pronave, për përkujtim të dinjitetshëm të Masakrës së Reçakut.

Në këtë ceremoni përkujtimore e cila u organizua nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin William Walker, të cilit siç tha ai, i jemi përjetësisht mirënjohës për humanizmin dhe kontributin e tij gjatë kohës më të vështirë për popullin tonë, ishte dëshmitar i historisë së dhimbshme të popullit tonë, simbol i qëndresës njerëzore dhe i guximit moral.

Duke e cilësuar si një zë i fuqishëm për të vërtetën dhe drejtësinë, atë kohë deklaratat e ambasadorit Walker, ishin denoncime zyrtare në emër të Misionit Verifikues të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë, kryeministri Kurti, u shpreh se ndjehet krenar që Qeveria e Kosovës ka mundësuar botimin e librit të memoarëve të Ambasadorit Walker, me dëshmi të fuqishme dhe prekëse mbi tmerrin e masakrës së Reçakut. Sipas tij, ky libër është edhe një urë që lidhë brezat përmes kujtesës historike, si dhe është trashëgimi për brezat e rinj, që të njohin luftën së cilës i mbijetuam dhe plagët që ajo la pas.

“Përtej së qeni një dokument historik, është edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe për drejtësi.”, tha kryeministri.

Sot, në këtë ceremoni përkujtimore, kryeministri përkujtoi edhe Nusret Shabanin, që i mbijetoi masakrës, teksa e përballoi me një forcë të rrallë vrasjen e të birit 22 vjeçar, Bajrushit. Me këtë rast, kryeministri u shpreh se përkujtojnë qëndresën e tij dhe të të gjitha familjeve të Reçakut, e anekënd Kosovës, që dhanë më të dashurit për lirinë e vendit tonë. Ai shtoi se bashkë angazhohemi që historia e Kosovës dhe liria jonë, të jenë gjithmonë shembull i forcës së popullit për të triumfuar mbi padrejtësi.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për secilën jetë të dhënë në rrugën tonë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit të saj!”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore në 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Në këtë ceremoni përkujtimore nga një fjalë rasti mbajtën edhe Ambasadori William Walker, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe Kryetari i fshatit Reçak, njëherësh përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Adem Ramadani.

Gjithashtu, në këtë akademi përkujtimore të pranishëm ishin edhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës, dhe deputetë nga Republika Federale Gjermane si dhe shumë përfaqësues të tjerë diplomatikë e të institucioneve vendore, ambasadorë e përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve mike të akredituara në vendin tonë, si dhe veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta çlirimtare e Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Varret në tokë, vrragët në trup e në shpirt, vrasësit në liri në Serbi.

Varret e hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, vrragët e mbyllura në trup, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, ajo që duhet të ndodhë, për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve qoftë edhe në mungesë. Në vitet 1998-të dhe 1999-të, thuhej se përfundoi beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë, tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi.

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari e shumë i dashuri ambasador William Walker,

Të dashur familjarë të të vrarëve në masakrën e Reçakut,

Të nderuar fëmijë e pasardhës të atyre që u vranë në Reçak,

Të nderuar zëvendëskryeministra, Bislimi e Gërvalla,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ministra e zëvendësministra, përfaqësues të institucioneve shtetërore,

Të nderuar deputetë nga Republika Federale Gjermane,

I nderuari kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,

I nderuar kryetar i fshatit Reçak, z. Adem Ramadani,

Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve mike të akredituara në Republikën tonë,

Të nderuar veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta çlirimtare,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Jemi sot në Reçak, për të nderuar kujtimin për 45 familjarët tuaj, civil të pafajshëm e të pa armatosur të vrarë, si dhe për të ripërtërirë zotimin tonë për të mos harruar kurrë masakrën e 15 janarit të vitit 1999-të.

Me ne këtu është edhe Ambasadori William Walker, ambasador i së vërtetës të cilit i jemi përjetësisht mirënjohës për humanizmin dhe kontributin e tij gjatë kohës më të vështirë për popullin tonë.

Deklaratat e ambasadorit Walker, ishin denoncime zyrtare në emër të Misionit Verifikues të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë. Këto raportime ekspozuan brutalitetin që po përballonte Kosova dhe ndryshuan diskursin ndërkombëtar ndaj luftës në vendin tonë. Presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, dënoi vrasjet e 45 shqiptarëve nga forcat serbe, teksa u kujdes që trupat e NATO-s të ishin të gatshme për veprim. Më 24 mars 1999, avionët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve në Jugosllavi, për t’i dhënë fund luftës në qershor të atij viti.

Qeveria e Kosovës është krenare që ka mundësuar botimin e librit të memoarëve të Ambasadorit Walker, me dëshmi të fuqishme dhe prekëse mbi tmerrin e masakrës së Reçakut. Ky libër është edhe një urë që lidh brezat përmes kujtesës historike. Është trashëgimi për brezat e rinj, që të njohin luftën së cilës i mbijetuam dhe plagët që ajo na i la pas. Përtej së qeni një dokument historik, është edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe për drejtësi.

Për ta përforcuar kujtesën për masakrën e Reçakut, Qeveria e ka themeluar Grupin Punues për ta hartuar Detyrën projektuese për kompleksin memorial, si dhe kemi miratuar shpronësime të pronave, për përkujtim të dinjitetshëm të Masakrës së Reçakut.

Të nderuara zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,

Me ne sot nuk është një njeri i jashtëzakonshëm, një zë i fuqishëm për të vërtetën dhe drejtësinë. Ai ishte dëshmitar i historisë së dhimbshme të popullit tonë, simbol i qëndresës njerëzore dhe i guximit moral. Në këtë përvjetor, përkujtojmë Nusret Shabanin, që i mbijetoi masakrës, dhe që vrasjen e të birit të tij 22 vjeçar, Bajrushit, e përballoi me një forcë të rrallë. Ai dha dëshmi të fuqishme kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Sot, përkujtojmë qëndresën e tij dhe të të gjitha familjeve të Reçakut, e anekënd Kosovës, që dhanë më të dashurit për lirinë e vendit tonë.

Familjarët, populli dhe institucionet e Kosovës, bashkë, i nderojmë të gjitha jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore, jo pak prej të cilave janë ende në pushtet, në Serbi. Republika jonë dhe populli ynë është i vendosur që e vërteta të mos harrohet kurrë, e të mos deformohet asnjëherë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë.

Bashkë angazhohemi që historia e Kosovës dhe liria jonë, të jenë shembull i forcës së popullit për të triumfuar mbi padrejtësi.

I përjetshëm qoftë kujtimi për secilën jetë të dhënë në rrugën tonë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit të saj! Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit!

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak

Në shënimin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në Kompleksin Memorial, në Reçak, në nderim të të vrarëve në masakrën e Reçakut.

Teksa qëndronte përballë memorialit, kryeministri Kurti nderoi 45 civilët e pafajshëm të vrarë e masakruar, duke kujtuar masakrën mizore serbe të 15 janarit të vitit 1999.

Pas homazheve, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, kryeministri Kurti vijoi drejt akademisë përkujtimore në shënimin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut.