Pritje që së shpejti të miratohet anëtarësimi në SEPA. Paratë nga vendet e huaja me një klikim dhe me shpenzime më të ulëta
Do të mund të merrni para nga të afërmit jashtë vendit për vetëm disa sekonda. Pagesat për pushimet në vendet e BE-së apo transaksionet ndërmjet kompanive vendase dhe partnerëve të huaj do të bëhen me një klikim. E gjithë kjo do të jetë me kosto më të ulët. Me anëtarësimin në zonën e vetme të pagesave në euro, SEPA, vendi është në rrugën e duhur për të reduktuar transaksionet e ngadalta dhe të shtrenjta në vetëm disa sekonda, me më pak shpenzime. Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska pret që anëtarësimi në SEPA të miratohet së shpejti nga Këshilli Europian i Pagesave.
“Duke pasur parasysh ndryshimet rregullatore të bëra dhe shkallën e lartë të harmonizimit të rregulloreve tona me ato europiane, në fushën e bankave, shërbimeve të pagesave dhe parandalimit të larjes së parave, pres që aplikacioni ynë për anëtarësim të miratohet së shpejti nga Këshilli Europian i Pagesave”, u shpreh Anita Angellovska-Bezhoska, guvernatore e Bankës Popullore RMV.
Anëtarësimi në SEPA është një nga prioritetet e përcaktuara në Planin e Rritjes së KE-së për Ballkanin Perëndimor pasi pritet të mundësojë qasje për bankat e rajonit tonë deri te sistemet europiane të pagesave. Në këtë mënyrë pagesa ndërkufitare do të jenë më efikase, më të shpejta dhe më të lira për qytetarët dhe kompanitë.
“Që qytetarët t’i ndjejnë përfitimet nga SEPA, është kyçe që bankat të përgatiten në mënyrë operative dhe të kyçen në sistemin europian të pagesave, pas miratimit të aplikimit tonë. Banka popullore do të sigurojë përkrahje të plotë rregullore të bankave në këtë proces”, shtoi Bezhoska.
Ideja e vetë nismës SEPA është për të thjeshtuar dhe për t’i bërë më të lira pagesat ndërkufitare në Europë midis vendeve dhe tregjeve të ndryshme.
Në rrethin e parë, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet t’i bashkohen SEPA-s. Shpenzimet për transfere do të jenë dukshëm më të ulëta, nga 2-3 euro për transfer, me çka kursimet totale, në nivelin e të gjithë Ballkanit Perëndimor, vlerësohen në rreth gjysmë miliardë euro në vit.
Nisma SEPA daton që nga viti 2008 dhe u themelua plotësisht në 2014. 36 vende, me mbi shtatë mijë banka dhe mbi 500 milionë llogari, janë pjesë e SEPA-s.