Rutte pret që zgjedhjet parlamentare në Kosovë të mos ndikojnë në destabilizim të situatës
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca Veriatlantike është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që mos të ketë destabilizim në Kosovë, transmeton Anadolu.
Gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel, Rutte tha se “ka disa shqetësime në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe midis Kosovës dhe Serbisë”, por theksoi se po monitorojnë ngushtë zhvillimet në sigurinë e këtyre vendeve.
Rutte tha se NATO-ja është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që mos të ketë destabilizim në Kosovë, veçanërisht gjatë zgjedhjeve parlamentare.
“Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kryesore. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi, sepse fqinjësia është kruciale për ne”, tha Rutte.
Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.
Së fundmi, Kosova fajësoi Serbinë si orkestruese dhe organizatore e drejtpërdrejtë e sulmit në infrastrukturën kritike, në kanalin e Ibër-Lepencit, në veri të Kosovës gjatë nëntorit të vitit 2024.