Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe udhëheqësja e kabinetit të Rektorit Valmisa Novi, më 28 janar 2025, e vizituan Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Ata u pritën në takim nga rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij. Ky takim kishte për qëllim diskutimin për nxitjen e bashkëpunimit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit në fushat e arsimit dhe hulumtimit shkencor mes universiteteve shqipfolëse. U nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, rektorët Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Prof. Dr. Armand Krasniqi theksuan se dy universitetet në të ardhmen do të kontribuojnë për bashkëpunim sa më cilësor në fushat e arsimit dhe të kërkimit shkencor.
Po ashtu parashihet që të realizohen edhe projekte të përbashkëta kërkimore dhe pilot projekte; shkëmbim i stafit hulumtues dhe mësimdhënësve; shkëmbim i studentëve; organizim i seminareve, konferencave, punëtorive të përbashkëta dhe të ngjashme; shkëmbim i botimeve shkencore dhe materialeve tjera për qëllime kërkimi dhe arsimimi. Ndër të tjera, prioritet do të jenë edhe vizitat afatshkurtra të anëtarëve të lartë të stafit për konsultime, leksione dhe planifikim të projekteve dhe vizitat afatgjata nga stafi hulumtues dhe teknik për trajnime, studime pasuniversitare ose pjesëmarrje në projekte të përbashkëta kërkimore.
Marrëveshja parasheh që të ketë edhe shkëmbim të studentëve deridiplomikë dhe pasdiplomikë për trajnim praktik dhe pjesëmarrje në programet ndërkombëtare; nxitje të kontakteve me shkencëtarë të shquar nga qendrat tjera akademike në vendet përkatëse; kontakte të përbashkëta me shkencëtarët në vendet e treta për të marrë pjesë në projekte ndërkombëtare në shkallë të gjerë e kështu me radhë.