Viruset kanë mbushur spitalet dhe ambulancat, HMPV dallon nga Corona
Për dallim nga koronavirusi pacientët e prekur me virusin e njohur si Human Metapneumovirus vuajnë nga dhimbja e veshëve dhe fytit. Mjekja Safjane Bellçishta, thotë se pacientët e prekur ndjejnë edhe dhimbje të gjymtyrëve dhe muskujve.
“I kemi dëgjuar pacientët, deri tani asnjëri nuk ka pasur probleme me organet e poshtme të frymëmarrjes, me mushkëri, d.m.th vetëm tek fyti dhe tek veshët. Shumë kemi pacientë që kanë dhimbje të veshit dhe ndonjëherë kur është dhimbja dhe inflamacioni i veshti dhe ai çon në kollitje”, tha Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Ndaj këtij virusi më së shumti janë të ekspozuar fëmijët. Ndërsa më lehtë e kalojnë fëmijët që ende ushqehen nga gjiri i nënës.
“Fëmijët më tepër i prekë, tek fëmijët është më shumë se kemi foshnjat 10 muajshe që nuk dinë të kolliten dhe prandaj duhet prindërit ta marrin fëmijët ta shtrijnë dhe ti bien nga pas në shpinë që më lehtë fëmija ta nxjerrë sekrecionin e trashë që ngjitet në fyt. Dhe fëmijët që ushqehen nga gjiri, shumë më lehtë mund ta kalojnë por do duhet nëna të pijë më tepër lëngje që të ketë më tepër qumësht që ti japë fëmijës çdo orë qumështin”, shtoi Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Bellçishta thotë se për këtë virus e kanë më të lehtë ti japin terapitë sepse e kanë të njohur tashmë, pasi është disi i ngjashëm me koronavirusin./Alsat.mk