Ahmeti takoi eurodeputetin Thomas Waitz
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot ka takuar eurodeputetin Thomas WAitz.
“Sot pata një takim të frytshëm me eurodeputetin dhe raportuesin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz. Gjatë këtij takimi, diskutuam mbi sfidat aktuale që po përballen qytetarët tanë dhe proceset integruese të vendit.
Theksova rëndësinë e ruajtjes së Marrëveshjes së Ohrit, e cila është themeli i paqes dhe stabilitetit në vendin tonë. Shpreha shqetësimin tim për përpjekjet për të minuar këtë marrëveshje përmes anulimit të mekanizmave mbrojtës dhe kërcënimeve ndaj Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dobësimin e kompetencave të Inspektoratit për Gjuhët, që është thelbësor për zbatimin e drejtë të këtij ligji.
Gjithashtu, ndava shqetësimin për frustrimin e qytetarëve tanë lidhur me bllokimin e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ky stagnim ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe të ardhmes evropiane të vendit.
Në këtë kontekst, informova z. Waitz për iniciativën e Bashkimit Demokratik për Integrim për miratimin e një ligji për vetingun e të gjithë zyrtarëve publikë, e cila ka më shumë se katër vjet që është bllokuar në parlament. Kjo nismë synon të forcojë integritetin dhe transparencën në institucionet tona, duke rritur besimin e qytetarëve në qeverisje. Gjithashtu shpreha qëndrimin se vetëm zgjedhjet e parakohshme në tetor janë zgjidhje për sfidat nëpër të cilat kalon vendi.
Z. Waitz shprehu mbështetjen e tij për përpjekjet tona dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian. Ky takim konfirmoi edhe një herë angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.”, ka shkruar Ahmeti.