Rama në Mynih: Zgjedhja e Trumpit është akti më bujar i zotit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian kundrejt Ballkanit Perëndimor sa i përket procesit të zgjerimit. Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Rama pohoi se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e integrimit, ku sipas tij nuk duhet punuar vetëm në aspektin ekonomik për tregun e përbashkët.
“Europa duhet të ndajë mendjen për atë çfarë po ndodh, sepse ka ndryshuar sa i takon qëndrimit kundrejt nesh, ka ndryshuar s ai takon ritmit të përfarimit me BP. Por ajo çfarë po ndodh është që ndryshon shumë ngadalë dhe shumë pak. Mund të flasim gjithë ditën për procesin me meritë, por ka ardhur koha të bëjmë një ndarje të qartë, proces i bazuar në meritë duhet të jetë për një gjë, të drejtën e votës në Këshillin Evropian, bazuar në meritë nuk mund të nënkuptojë sjelljen e të gjitha vendeve në tregun e përbashkët”.
Integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama e sheh më shumë si nevojë të vetë Bashkimit Evropian se sa të vendeve të rajonit.
“Ne jemi mësuar të mbijetojmë, ne jemi mbijetues, çfarëdo që të ndodhë do vazhdojmë të jemi këtu prandaj luftojmë me grekët se kush është më i vjetri në kontinent, kemi parë kaq shumë të ikin e të vijnë. Nëse BE do të dojë të dalë nga gjitha këto kriza duhet të bashkohet si Evropë. Amerika pa Evropën është thjesht një ishull, Europa pa Amerikën është një gadishull.”
Për kreun e qeverisë shqiptare, zgjedhja e Donald Trump si President i SHBA është një bekim, por shton se Evropa duhet ta kuptojë këtë gjë dhe të reagojë shpejt.
“Zgjedhja e Trump është akti më bujar i Zotit, kundrejt BE për t’i dhënë një shans Europës të zgjohet dhe Europa duhet së pari të mos jetë kaq vetëreferente”.
Thirrja e Ramës për Evropën është që të fuqizohet ekonomikisht, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të konkurrojë tregjet globale./A2