RajoniTop Lajme

Edhe dy muaj paraburgim të dyshuarve për shpërthimin në “Ibër-Lepenc”

Shpërndaje

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin të dyshuarve, Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq, për shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut më 29 nëntor të vitit të kaluar.

Gjykata ka njoftuar se e mori vendimin me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Shpërthimi në kanalin e “Ibër-Lepencit” shkaktoi dëme të mëdha.

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar shpërthimin si sulm terrorist dhe kanë fajësuar strukturat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Shpërthimi u pat dënuar edhe nga ndërkombëtarët.